Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe ai i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtje. Ministri Mario Banoziq u zotua se Kosovën do ta mbështesë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO, ndërkaq ministri kosovar, Armend Mehaj, u zotua për thellim të bashkëpunimit.
Kroacia është zotuar ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në NATO. Gjatë vizitës ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Mario Banoziq, po ashtu tha se vendi i tij do ta ndihmojë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në transformimin e ushtrisë.
“Ne e mbështesim procesin e transformimit të FSK në Forca të Armatosura. Dhe ofrojmë ndihmë në fushën e trajnimeve dhe shkollimit. Unë dëshiroj të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin tonë dhe të bëhet shkëmbimi i njohurive ndërmjet forcave tona. Takimi ynë është konfirmim i fuqishëm i bashkëpunimit miqësor”, ka thënë Banoziqi.
Ministri kroat dhe ai i Kosovës, Armend Mehaj, kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për mbrojtje.
“Angazhimin për paqe e siguri. Këtë miqësi e kurorëzojmë sot me nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje. Kjo hap rrugë për bashkëpunim dhe hap mundësitë më të ngushta sa i përket shkollimit, trajnimit të personelit ushtarak, zhvillim të stërvitjeve të përbashkëta, mundësi për bashkë-zbarkim në operacione dhe misione ndërkombëtare, bashkëpunim më të theksuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, e gjithashtu edhe në fusha të tjera. Si ministër i Mbrojtjes qysh në fillim kam theksuar se partneriteti me Republikën e Kroacisë është shumë i rëndësishëm për ne, për arsye se Kroacia është vend anëtar i NATO-s, por edhe ka përvojë mbi 11 vjet në NATO dhe ne si Republikë e Kosovës e kemi të njëjtën aspiratë, të njëjtat qëllime, por i ndajmë edhe të njëjtat vlera”, është shprehur ministri Mehaj.
Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, Banoziq u prit me ceremoni derisa ka zhvilluar edhe një takim me dyer të mbyllura. Gjatë tij u zotuan për vazhdim të bashkëpunimit në lidhje me sigurinë. Ndër të tjera, ministri i Kroacisë ka shprehur falënderim për Kosovën për siç ka thënë ai, trajtimin e pjesëtarëve të komunitetit kroat në Janjevë.