Arbëri

KRM “Pastërtia” prej 28 muajve ngec në pagesa të Trustit për punëtorët

285 punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj kanë paralajmëruar greva e protesta, pasi menaxhmenti për më shumë se dy vjet nuk ua ka paguar Trustin pensional. Në kompani pranojnë borxhin dhe thonë se po e paguajnë me këste

Kompania rajonale e mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj ka 28 muaj që nuk i ka kryer kontributet pensionale për 285 punonjësit e saj.

Disa prej punonjësve që kanë dalë në pension nuk kanë mundur t’i marrin paratë nga Trusti dhe kjo ka nxitur reagimin e Sindikatës së punëtorëve.

Mexhid Ramusa, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie, ka thënë se menaxhmenti i kompanisë ka bërë shkelje ligjore dhe se dikush duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë.

“Ne i kemi sistemet dhe i monitorojmë vazhdimisht sistemet tona sepse trusti është digjitalizuar. Prej 28 muajve ne kemi raport të qartë dhe të saktë se trusti nuk është paguar për punëtorët, ndërkaq kemi analizuar dhe e kemi kuptuar se paratë tona ndalen në kompani. Ku qëndron problemi ne nuk e dimë, prandaj ftojmë prokurorinë që të merret me këtë çështje. Dje e kemi pasur një takim me kryeshefin ekzekutiv dhe e kemi përmendur këtë shqetësim të punëtorëve, kurse ai na ka kërcënuar”, tha Ramusa.

Përfaqësuesi i Sindikatës në Komunën e Shtimes, Skender Sahiti, tha se nëse nuk kompania nuk kryen obligimin e saj, punëtorët do të futen në grevë.

“Shqetësimet tona janë se prej 27 muajve trusti nuk është paguar dhe paratë e tona nuk po dalin në trust. Ne e kemi pasur edhe një protestë në të kaluarën në të cilën drejtori na ka premtuar rritjen e pagave në vlerë prej 50 eurove në shtator, por kjo nuk ka ndodhë”, tha Sahiti.

Drejtues të kompanisë pranojnë borxhin dhe thonë se ai është grumbulluar në mungesë të buxhetit.

“Dje e kanë bërë një kërkesë, andaj puna e trustit është e vërtetë, kemi bërë marrëveshje me ATK-në dhe jemi duke e paguar nga 25 mijë euro këstin mujor. Ato nuk janë paguar shkaku i mungesës së buxhetit. Nuk është borxh i punëtorëve por është borxh i kompanisë ndaj ATK-së”, tha Basri Syla, kryeshef ekzekutiv në KRM “Pastërtia”.

Kompania rajonale e mbeturinave “Pastërtia” ofron shërbime në tri komuna: Ferizaj, Kaçanik e Shtime.