Qeveria ka votuar të mërkurën kandidatin e tretë në listë për sekretar të përgjithshëm të ekzekutivit, dy vjet pas përfundimit të procedurave të rekrutimit. Por, sipas përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, me këtë emërim është shkelur Ligji për zyrtarët publikë dhe është dëmtuar integriteti i institucioneve publike
Pas më shumë se dy vjetësh nga përfundimi i procesit të rekrutimit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm, Qeveria ka emëruar të mërkurën kandidatin e fundit në listën prej tre kandidatëve fitues.
Ministri i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tek propozoi votimin e Arben Krasniqit për sekretar, tha se në këtë proces rekrutimi janë respektuar të gjitha procedurat.
“Propozimvendimi është në harmoni të plotë me dispozitat e Ligjit për zyrtarët publikë. I njëjti është diskutuar dhe konsultuar me të gjitha institucionet përkatëse dhe përmbush kërkesat procedurale për t’iu nënshtruar vendimmarrjes në këtë mbledhje të Qeverisë. Komisioni i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ia ka rekomanduar kryeministrit tre anëtarë për përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm. Me këtë rast kërkoj nga ana e juaj që ta miratoni vendimin për emërimin e z. Arben Krasniqi sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit”, ka thënë Sveçla.
Por Iniciativa për Mbikëqyrjen e Korrupsionit (CorrWatch) ka vlerësuar se emërimi përbën shkelje ligjore dhe ka kërkuar që vendimi të anulohet.
“CorrWatch” vlerëson se sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë (LZP), mbi bazën e të cilit është zhvilluar procedura e rekrutimit, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, në këtë rast kryeministri, është i obliguar të përzgjedhë një nga kandidatët fitues të propozuar brenda një afati dhjetë (10) ditor nga shpallja e listës së fituesve. Në rastin konkret afati ligjor ka kaluar.
“Në këtë rast, afati 10-ditor ka kaluar, pasi lista e kandidatëve fitues është shpallur më 15 korrik 2022. LZP në paragrafin 2 të nenit 42 ka përcaktuar mekanizmin zhbllokues nëse nuk ka përzgjedhje nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë brenda afatit të caktuar, atëherë në këtë rast automatikisht konsiderohet i emëruar në detyrë kandidati me pikët më të larta. Përpos faktit që stërzgjatja e procesit të emërimit ka dëmtuar efikasitetin e procedurës së rekrutimit, ‘CorrWatch’ vlerëson se emërimi i sekretarit të Zyrës së Kryeministrit është në kundërshtim me ligjin, dhe si i tillë, vendimi duhet të anulohet pasi përbën shkelje të qartë të dispozitave ligjore”, shkruan në reagimin e “CorrWatch”. “’CorrWatch’ i bën thirrje Qeverisë që të reflektojë mbi këtë proces dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për anulimin e këtij vendimi. Ky vendim përveçse bie ndesh me dispozitat ligjore, dëmton integritetin e institucioneve publike, në këtë rast Zyrën e Kryeministrit, si dhe në përgjithësi proceset e rekrutimit të pozitave të larta, si dhe mund të shërbejë si precedent i keq edhe në institucionet e tjera”.
Veç sekretarit të përgjithshëm, në mbledhjen e së mërkurës Qeveria ka votuar themelimin e disa komisioneve ‘Ad Hoc” për emërimet në pozitat e larta drejtuese në disa dikastere.