Arbëri

Kritikohet Komuna e Prishtinës për mosrealizimin e projekteve kapitale

Mbi 13 milionë euro buxhet ka pasur këtë vit Drejtoria për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës.

Rikonstruktimi i rrugëve, asfaltimi i tyre e mbyllja e gropave janë vetëm disa prej projekteve në të cilat është planifikuar të investohet sivjet.

Por, me gjithë punimet, qytetarët kanë ankesa.

“46 për qind, në mos gabofsha, po e dorëzojnë buxhetin përsëri që s’po mujnë e harxhojnë, e ajo tregon që s’asht kah punohet a në fakt ka ku punohet sa dush, punohet veç ashtu me teke, jo me planprogram afatgjatë”, ka thënë Muhamet Tashevci, qytetar i Prishtinës.

“Investime jon ka bohen mjaftueshëm megjithëse po thonë që ka rezerva për investime edhe ma të mëdha me bo. Kanë mujtë me bo, situata osht qashtu tash, as s’mundesh me konë i knaqun, as s’mundesh me kritiku”, ka thënë Ismet Prishtina, qytetar i Prishtinës.

Njëri prej projekteve të parapara për këtë vit ka qenë edhe ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”, porse ai as që ka nisur.

Nga Komuna thonë se pandemia ka ndikuar në mosrealizimin e disa projekteve.

“Në fund të muajit prill e maj ka qenë vendim i Qeverisë dhe KRPP-së që për shkak të pandemisë të ndalohet çdo inicim i procedurave në investime kapitale. Deri në qershor s’kemi mujtë me nisë asnjë procedurë për vitin 2020. Tash më thoni qysh është e mundur t’i realizojmë projektet kur gjysmën e vitit s’kemi iniciuar procedura, e ato zgjasin për diku 80 ditë, që i bie përafërsisht tre muaj”, ka thënë Gëzim Mehmeti, drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinë.

Organizata që monitoron punët e Komunës thotë se pandemia nuk duhet të përdoret si arsyetim për mosrealizimin e projekteve kapitale.

“Së paku ose fare Komuna e Prishtinës duhet të arsyetohet në pandemi për shkak të ngecjes në shpenzimin e buxhetit për projekte kapitale. Me vite të tëra kjo problematikë po e ndjek Shpendin, ndërsa për vite me radhë vetëm sa po thellohet kjo gjendje, ka projekte që është dashur të kryhen shumë më herët”, ka thënë Qëndrim Arifi nga INPO.

Për vitin 2021, Drejtoria për Investime Kapitale në buxhet ka të miratuara mbi 10 milionë euro për shpenzime në projekte.