Arbëri

Kritika të mëdha Ministrisë së Mjedisit për keqtrajtim të ariut katërmuajsh, kjo mohon akuzat

Një video që po qarkullon nëpër rrjetet sociale, e një këlyshi ari në kushte jo të favorshme për jetë, ka shqetësuar Pyllin e Arinjve “Prishtina.”

Ani pse Ministria e Mjedisit e ka nën përkujdesje këtë këlysh, thonë se kujdesi për të nuk është i duhur, raporton KTV.

Afrim Mahmuti, menaxher në Pyllin e Arinjve “Prishtina”, thotë se janë shqetësuese pamjet e këlyshit dhe kushtet në të cilat po e mbajnë zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit.

Sipas Mahmutit, Pylli i Arinjve i plotëson të gjitha kushtet për përkujdesjen e këtij këlyshi, njëjtë siç kanë vepruar për vite me radhë me arinjtë e abuzuar.

Por, edhe pse kanë bërë kërkesë në MMPH për ta marrë nën pakujdesje këlyshin, një gjë e tillë nuk iu mundësua.

Në Ministrinë e Mjedisit, mohojnë akuzat që këlyshi i ariut po keqtrajtohet.

Në këto pamje që ka siguruar Kohavisioni, shihet se ariu është duke u trajtuar dhe gjendja e tij është stabile.

Bajram Kafexholli nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, shton se ariu i murrmë është i mbrojtur me ligj dhe ai duhet të jetojë në natyrë e jo i rrethuar në Parkun e Arinjve.

Ndërkaq, për ariun që javë më parë u ka bërë dëme të konsiderueshme banorëve përreth në Prizren, ministria ka formuar një komision për lokalizimin e tij.

Ariun problematik e kërkuan edhe ushtarë të FSK-së, por nuk arritën ta zënë.

Në fakt, KTV-ja ka siguruar shkëmbim letrash mes ministrisë dhe Four Pows, ku zyrtarë të ministrisë kërkuan nga organizata që kafshën ta marrin dhe ta strehojnë në Badovc.

Por, në përgjigjet e organizatës ishte thënë se nuk mund të merrnin nën përkujdesje arinj të egër nga natyra. Ata, madje, kishin thënë se nuk kanë vend për një ari të rritur. Organizata, megjithatë, mendon ndryshe për ariun këlysh, për marrjen e të cilit ka nisur edhe peticion.

Veç kësaj, ministria premton që së shpejti do të dalë me rekomandime, përderisa ka ndaluar vrasjen e arushave që kanë dëmtuar banorët përreth.