Reagime të shumta dolën pas disa deklaratave të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila mbrëmë në Interaktiv të KTV-së kritikoi qeverisjet e kaluara në menaxhimin e fushës së shëndetësisë, e ndër tjera, foli për trajtimin që kishte marrë jashtë Kosovës nëna e Ramush Haradinajt.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e deputeti Gazmend Syla, kanë kritikuar së fundmi deputeten Pacolli ashpër.
Kadrijaj e quajti Pacollin “femër pa moral politik”, e madje adresoi kritika të ashpra kundër saj.
“Një femër, pa etikë e pa moral politik, femër e indoktrinuar dhe e skllavëruar politike, paska gjetur kohë dhe paska marrë guxim me fol për nanën Rukë, nanën e gjeneralēve dhe luftētarëve të pa epur për lirinë e Kosovës. Fitore “Pacovja”e cila se ka as një kontribut as kombëtar e as patriotik, e helmuar politike e cila kudo që ka qenë ka lobu kundër Kosovës, kundër liberalizimit të vizave merr guxim me fol për nënën heroinë! Palou moj aty e mos helmo popullatën me këto deklarata tua të poshtra si vet jeta jote. Ti je ma helmuse se Covid 19. Turp për ty e për ata që i përfaqëson!”, është reagimi i ashpër i deputetes Kadrijaj.
Deputeti Gazmend Syla, tha se “sipas deputetes Pacolli, Shqipëria qenka vend i huaj”.
“Ajo na ishte shqetësuar me faktin se Nëna e dy Heronjve, ashtu si shumë të plagosur të UÇK-së dikur, ka pasur trajtim mjekësor atje. Shqipëria për LVV qenka diçka "jashtë vendit". Fitore, pyete Kryeministrin tënd se ku jeton familja e tij dhe ku shkollohet fëmija i tij?”, shkroi Syla në facebook.
Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes Fitore Pacolli.
“S’është e drejtë Nëna Ramush Haradinajt me i fale 5 djem për Lirinë e Kosovës e Nëna e Fitore Pacollit asnjë. Nuk ka barazi këtu. Qytetaret duhen te jenë të barabartë. Kështu do të ishe teoria e konceptit të barazisë sipas Fitore Pacollit. TURP Fitore! Lavdi për jete e mot Heroit Shkelzen Haradinajt qe ra heroikisht me 16 prill 1999 Lavdi Familjes Haradinaj!”, shkroi Musliu.
Gjatë ditës, pati reagime edhe nga deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.
Dje në Interaktiv të KTV-së, deputetja Pacolli, kritikoi veprimin se nëna e Haradinajt ishte trajtuar jashtë shtetit të Kosovës.
“Kur minsitri Vitia ka shkuar në Ministri nuk ka pasur masa rezervë. E kur nuk i ke ato rezerva nuk e di se si mund të funksionosh si shtet. Tash më kujtohet se e patëm kundërshtuar kur kryeministri Haradinaj në atë kohë e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, dhe kjo u pat ngritë si dilemë por nuk është diskutuar shumë. Paramendo në një vend evropian kur një kryeministër e dërgon prindin e tij apo veten për shërim jashtë shtetit”, tha ajo.