Arbëri

Kritika për mënyrën se si u menaxhua seanca

Mospajtimet për mënyrën e menaxhimit të seancës kanë nxitur kritika nga organizatat e shoqërisë civile, në të cilat kanë thënë se konsultimet kanë qenë të domosdoshme edhe para se t’i dërgohet letra presidentes, Vjosa Osmani. Në opozitën e gjertanishme kanë insistuar për vazhdimin e seancës, ndërsa shumica e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit ka kërkuar qartësi ligjore dhe konsultime shtesë për mënyrën si të veprohet, pasi që në votimin e parë nuk ka kaluar raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve

Kritika rreth mënyrës së menaxhimit të vazhdimit të dytë të seancës konstituive kanë shprehur të enjten vëzhgues të punës së institucionit ligjvënës.

Palët i kanë ruajtur pozicionet e njëjta, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar konsulta nëpërmjet kryesuesit për mënyrën se si të vazhdohet tutje, teksa partitë që për katër vjet kanë qenë në opozitë kanë insistuar në vazhdimin e seancës tek pika e mbetur të martën.

Ndonëse kanë votuar kundër raportit për verifikimin e mandatave në seancën e kaluar, përfaqësues të Partisë Demokratike (PDK), ata të Lidhjes Demokratike (LDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që seanca e të enjtes të vijojë me hedhjen në votim të raportit.

Këtë ata e kanë kërkuar megjithëse i kanë kritikuar qeveritarët për mosofrimin e dorëheqjeve, për ç’arsye edhe nuk është votuar raporti.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se nuk ka pasur nevojë për konsultime të reja me subjektet politike, të kërkuara nga kryesuesi Avni Dehari, pasi që afati prej 48-orësh ekziston për këtë qëllim.

“Unë vlerësoj se në vend që të shkruheshin letra për presidenten, përgjigjet e se cilës veç se diheshin, ndonëse vlerësoj pozitivisht qasjen e presidentes, besoj që është dashur që të mbaheshin konsultimet e nevojshme në mënyrë që të trajtohej dhe të zgjidhej kjo çështje. Zotëri Dehari nuk e administroi seancën siç duhet, sepse në radhë të parë i njëjti nuk shkoi sipas rendit të ditës e që në këtë rast do të duhej të mblidhej edhe një herë komisioni për verifikimin e mandateve, nxjerrja serish e një raporti”, ka thënë Cakolli.

Ai ka theksuar po ashtu se ndërprerja e seancës nga kryesuesi Dehari përbën një shkelje procedurale, pasi që ajo ka ndodhur pa votim formal dhe pa u trajtuar të gjitha pikat e rendit të ditës.

“Pra, ashtu siç ka qenë deri diku e pritur, në mungesë të numrit të nevojshëm të votave pati sërish ndërprerje të seancës konstituive të Kuvendit. Por që kësaj here, si ndërprerje u karakterizua nga një shkelje tjetër procedurale, ku kryesuesi i seancës, Dehari, e ndërpreu seancën pa pasur votim formal dhe pa i konsumuar pikat e rendit të ditës, gjë që përben shkelje procedurale. Në anën tjetër, tashmë është e qartë se situata është e bllokuar për shkak të mosofrimit të dorëheqjeve, obligim ligjor ky për kryeministrin dhe 15 ministrat tjerë në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit”, ka shtuar Cakolli.  “Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në detyrë dhe gjithë ministrave që në funksion të zhbllokimit të punës së Kuvendit të dorëzojnë dorëheqjet e tyre formale siç ua kërkon ligji për qeverinë që është miratuar po nga legjislatura e kaluar, në mënyrë që t'i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit dhe të evitohen bllokada të panevojshme”.

E Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se deputetët duhet t’i përmbahen Kushtetutës dhe të mos abuzojnë me mandatin që ua kanë dhënë qytetarët

“Formimi i institucioneve kalon nëpër shumë faza. Ndërsa nëpër të gjitha fazat, realisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës është shkruar në atë formë saqë do të duhej që akterët institucionalë, ose individët institucionalë të mos abuzojnë me të drejtën që ua kanë dhënë qytetarët. Në këtë drejtim mund të themi që është përgjegjësi e institucioneve, e akterëve institucionalë, që të veprojnë në atë mënyrë që të dalin vetë prej krizës, në mënyrë që të mos aktivizohet Gjykata Kushtetuese dhe që të mos kemi kriza. E, po ashtu të mos kemi praktika të rënda kushtetuese, për arsye që secila krizë vonon në formimin e institucioneve dhe në procedimin tutje. Për këtë arsye në momentin që ka ndonjë krizë është gjykata kushtetuese ajo që jep vendimin final”, ka theksuar Kolshi.

Ashtu siç obligon rregullorja e Kuvendit, vazhdimi i seancës konstituive është caktuar të mbahet pas 48 orësh, të shtunën e 19 prillit, duke nisur në ora 12:00.