Arbëri

Krimet e pandëshkuara të luftës

Te pagjeturit

Serbia është kthyer në strehë për përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë. Ajo nuk ka ofruar bashkëpunim, e për pasojë tek së voni autoritetet kanë krijuar bazën ligjore dhe kanë nisur realizimin e gjykimeve në mungesë për këto krime. Por juristët shprehën drojë për sfidat që do ta përcjellin secilin proces të kësaj natyre

Albert Imeri ishte vetëm 16 vjeç, kur forcat serbe ia vranë 12 kushërirë, më 15 janar të 1999-s, në masakrën e Reçakut. Atë ditë në fshatin e Shtimes policët e ushtarët serbë vranë 45 civilë shqiptarë e një prej tyre, Sahide Metushi, nuk u gjet më.

Imeri, i mbijetuar i kësaj masakre, ishte në shtëpinë e Sadik Osmanajt, të moshuarit që bashkë me 23 burra të tjerë i nxorën nga ajo shtëpi e më pas i dërguan sipër lagjes, në Kodrën e Bebushit, aty ku edhe i masakruan.

“Aty kur kanë ardhur forcat serbe kanë hyrë në shtëpinë e Sadik Osmanajt. Disa ishim me gra, disa ishim me burra, disa me burra në një si pleme, ahër. Kanë hyrë dy me maska. Një me maskë ka hyrë, e ka hapur derën, edhe e ka mbyllur derën dhe më pas kanë hyrë dy me maska dhe dy pa maska në shtëpinë e Sadik Osmanajt, ku kemi qenë ne te gratë. Aty më pas kanë nisur të na ndajnë prej grave”, ka rrëfyer ai.

Para se të vriteshin, burrat që ndodheshin në shtëpi iu nënshtruan dhunës.

“Sadik Osmanaj ishte me mua dhe i kanë larguar. I kanë nxjerrë në oborr dhe unë isha i fundit. Për fat të mirë jam kthyer prej derës së hyrjes nja 3 metra dhe prapë kam hyrë brenda. Kur i kam parë Mufail Hajrizin, Ramë Shabanin e këta duke i rrahur me dru e me stupca, atëherë prapë kam hyrë brenda edhe i kishin pasë marrë, edhe ne kemi menduar që po i marrin e po i çojnë në ndonjë far burgu ndokund, por forcat serbe i kishin marrë dhe i kishin çuar te Kodra e Bebushit aty lart dhe i kishin masakruar. Një nga një 24 burra janë të masakruar”, ka treguar Imeri. “Ragip Bajramit ia kanë nxjerrë zemrën krejt dhe në këtë pjesë krejt zemrën ia kanë qitë përjashta. Ka qenë me të vërtetë një masakër shumë-shumë e rëndë. Sa e trishtueshme ka qenë”.
Një ditë pas masakrës, në Reçak shkoi misioni verifikues i OSBE-së.

Imeri thotë se për te vendi i krimit i drejtoi pjesëtarët e këtij misioni, pasi besonte se forcat serbe donin t’i merrnin trupat nga vendi i ngjarjes. Dyshimet për këtë ia shtoi një helikopter me njerëz të uniformuar, që fluturonte sipër fshatit.

Pasi pa masakrën, shefi i këtij misioni ndërkombëtar, William Walker, tha se bëhej fjalë për krim kundër njerëzimit dhe kërkoi drejtësi për viktimat.

Më shumë se 24 vjet pas luftës, asnjë gjykatë në Kosovë e as ndonjë gjykatë ndërkombëtare nuk e ka dënuar askënd për masakrën e Reçakut.

Për të, Tribunali Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi ka pasur në dosjet e veta prova. Ky Tribunal iu dha dënime me burgim për krime kundër njerëzimit disa udhëheqësve politikë, policorë e ushtarakë serbë, si Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Lukiqi, Vladimir Lazareviqi e Dragolub Ojdaniqi. Por në emër të shpejtimit të procesit gjyqësor as nuk i dënoi e as nuk i liroi nga akuzat për vrasje në Reçak. Katër nga ta i kanë përfunduar dënimet, duke marrë edhe lirime të parakohshme me kusht.

Të mbijetuarit e masakrës së Reçakut dëshmuan në Tribunalin e Hagës në rastin ku akuzohej presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviqi, porse ai vdiq pa përfunduar gjykimi.

Dënimi i parë

Serbia shpesh i mohon e i minimizon krimet e luftës që i ka kryer në Kosovë dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e tyre. Kjo qasje dhe refuzimi për të bashkëpunuar ua ka pamundësuar institucioneve të Kosovës që t’i arrestojnë personat që dyshohen e akuzohen për këto krime. Gati çerekshekulli pas luftës gjyqësori kosovar e ka nisur gjykimin e parë në mungesë, pas bazën ligjore që u krijua për të tilla gjykime pak vite më parë.
Shqyrtimi fillestar mbi akuzat për pjesëmarrjen në masakrën e Reçakut është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 20 nëntor 2023. Ky është gjykimi i parë në mungesë për kime lufte në Kosovë. I akuzuari Çedomir Aksiq nuk është aty, por interesat e tij mbrohen prej një avokati që është caktuar e edhe që paguhet nga shteti i Kosovës.

Departamenti Special i kësaj gjykate që i ka lëndët e krimeve të luftës krahas rastit Aksiq, sivjet i ka marrë edhe gjashtë aktakuza të ushtruara nga Prokuroria Speciale për gjykim në mungesë të të akuzuarve për krime lufte. Një prej tyre ka të bëjë me keqtrajtimin e mjekut Hafir Shala nga Drenasi, në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë. Shala është në mesin e mbi 1.600 të pagjeturve. Katër aktakuzat e tjera, që tashmë përbëjnë shumicën e aktakuzave në mungesë, kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë luftës.

Në gjykatë thanë se së shpejti do të nisë gjykimi edhe për këto raste në mungesë, sapo të konstatohet që janë plotësuar kushtet ligjore, siç janë: lëshimi i urdhërarresteve ndërkombëtare, thirrja publikisht për të akuzuarit që t’u dorëzohen institucioneve të Kosovës dhe në fund edhe publikimi i aktakuzës dhe ftesës për të akuzuarit për seancë.

Valon Kurtaj është gjyqtar dhe shef i Departamentit Special që trajton lëndët e krimeve të luftës në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai thotë se ligjet e nxjerra nga Kuvendi deri tash nuk e kanë mundësuar gjykimin në mungesë.
“Tani ne po e parashtrojmë një pyetje: në qoftë se e kemi një hetim të një masakre e cila ka pasur si viktima mbi 100 persona, por kemi edhe po aq dëshmitarë të intervistohen, a ka mundësi prokuroria ta përmbyllë një hetim brenda një viti për atë kohë që i ka mbetur e të gjitha këto prova të sigurohen, e të mos flasim për prova forenzike të ndryshme, raporte të autopsisë e shumë e shumë prova të tjera të cilat duhet të sigurohen për ta ngritur një aktakuzë? Dhe prokuroria nuk ka mundur t’i futet një rreziku kësisoj për faktin se kur është bërë koha prej dy vjetëve hetim, është dashur dy çështje t’i bëjë: Ose ta ngrejë një aktakuzë shkel e shko, akuzë joprofesionale, ose ta pushojë hetimin. E si ta pushojë hetimin kur e ke një mori provash që e vërtetojnë që personi X ose personat X të cilët dyshohen, janë kryerës të veprës penale”, ka thënë gjyqtari Kurtaj. “Në anën tjetër, ty të hendikepon dhe në fakt të ndëshkon një dispozitë e cila nuk e llogarit afatin e letër-rreshtimit ndërkombëtar në pezullim të hetimit që ti pret derisa të kthehet një përgjigjur se a është arrestuar, a është gjetur nga Interpoli apo mekanizmat ndërkombëtarë, qoftë edhe regjionalë me të cilët ne bashkëpunojmë. Kjo ka qenë një problematikë, jo se nuk ka pasur dispozita, por dispozitat kanë qenë pothuajse tërësisht të pamundura për t’u implementuar në praktikë”.

Raste në pritje

Disa raste të krimeve të luftës janë në pritje. Gjashtë sosh burojnë nga ikja e të akuzuarve për krime lufte nga qendrat e paraburgimit në kohën e UNMIK-ut, ndërmjet viteve 2000-2001. Të tjera janë bartur nga EULEX-i te gjykatat vendore. Për këto raste gjykata ka dilema ligjore, përfshirë atë se a mund të gjykohen apo jo; dhe nëse po si t’ia hapin rrugën trajtimit të tyre ligjërisht, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë i është drejtuar Gjykatës Supreme për opinion ligjor.

E mëdyshje për trajtimin e rasteve aktuale shpreh avokati Amer Alija, i cili është ekspert ligjor në Qendrën për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Alija thotë se në bazë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjyqësori në Kosovë e ka për obligim ta njoftojë të akuzuarin në një formë se ndaj tij është një aktakuzë dhe të sigurohet se ai është i njoftuar personalisht me akuzat dhe provat mbi të cilat bazohet aktakuza.
Unë mendoj që duhet të insistohet që të pranohet ose të informohet së paku personi i akuzuar në mungesë për arsye se kushti kryesor në Gjykatën e Strasburgut është që personi i cili gjykohet ose ndaj të cilit është ngritur aktakuza duhet të jetë i njoftuar dhe organet e Kosovës. Qoftë përmes bashkësisë ndërkombëtare apo përmes organeve të tjera duhet ta informojnë dhe ta gjejnë ndonjë rrugë zyrtare që ta informojnë personin e akuzuar dhe më pas të vazhdohet procedura e gjykimit”, ka thënë avokati Alija.

Por, kjo brengë e ngritur nuk përbën shqetësim për gjyqtarin Valon Kurtaj. Ai thotë se gjykimet ua garantojnë të akuzuarve të drejtat e tyre, garancinë e së drejtës në rigjykim nëse të pandehurit vihen në dispozicion të drejtësisë.

“Legjislacioni ynë të cilin e kemi në fuqi, është legjislacion i cili është bërë me ndihmë dhe me mbështetje shumë të madhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë misionet e Bashkimit Evropian, ekspertë të Strasburgut, ekspertë amerikanë dhe shumë mbështetës tanë të cilët kanë ndihmuar të hartohet legjislacioni dhe në kohën e hartimit të legjislacionit e kanë pasur domosdoshmërisht parasysh dhe e kanë pasur si pikë reference praktikën e GJEDNJ-së, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që kur të hartohet legjislacioni, të hartohet në harmoni me këto dyja, që të mos kemi shkelje të të drejtave të njeriut për faktin se edhe vetë Kushtetuta jonë i parasheh si instrumente të drejtpërdrejta ku mund të thirremi”, ka thënë gjyqtari Kurtaj.

Mungesa e bashkëpunimit

Gjykata i ka duart e lidhura kur bëhet fjalë për informatat lidhur me të akuzuarin në qoftë se ai është në Serbi. Mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet penale dhe gjykimi i tillë në mungesë mund ta çojnë gjykatën edhe në situata të vështira, thotë avokati Artan Qerkini.
“Pengesë objektive, mosbashkëpunimi i Serbisë me organet e shtetit të Kosovës dhe kjo është arsyeja përse shteti i Kosovës mund të vihet në pozitë që të zhvillojë një procedurë penale ndaj personit që ka vdekur”, ka thënë avokati Qerkini. “Një provë që merret në shtetin e huaj duhet të ekzistojë bashkëpunimi juridik ndërkombëtar, i përcaktuar me ligj apo me marrëveshje ndërkombëtare. Nëse nuk ndiqet ajo rrugë, atëherë prova e siguruar nga shteti tjetër është provë e papranueshme për nevojat e procedurës penale në Republikën e Kosovës”.

Brengë për këtë mungesë bashkëpunimi shpreh edhe gjyqtari Valon Kurtaj.

“Nuk kemi bashkëpunim thuajse fare hiç, hiç, hiç. Fare me Serbinë. Kështu që, është një rrezik potencial që mund të ketë gjatë një procesi një person i cili gjykohet në mungesë në Kosovë e për të cilin gjykata nuk është e informuar se ka ndërruar jetë – që procesi te ne të vazhdojë deri edhe të përfundojë si proces, të vijë deri edhe te vendimi mbi çështjen, e personi të jetë i vdekur”, ka thënë gjyqtari Kurtaj. “Mirëpo këtë nuk e shoh si një dobësi ose si një mangësi të institucioneve tona ose gjykatës sonë, ose konkretisht gjyqtarit, për faktin që gjyqtari jonë duhet ta ketë një provë në shkresat e lëndës – një informatë të verifikuar dhe të faktuar se ai person ka vdekur. Derisa ne nuk e kemi një informacion kësisoj, nuk mundemi ne të paragjykojmë se një person ka vdekur dhe ta pushojmë një procedurë penale, ta biem një vendim”.

Demotivimi i viktimave

Gjatë luftës së dy dekadave më parë, rreth 13.500 vetë u vranë e rreth një milionë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa 20 mijë gra u dhunuan gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Shumica dërrmuese e viktimave janë shqiptarë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, për këto dhe krimet e tjera, deri më tani janë dënuar gjithsej 72 persona. Prej tyre, 38 janë shqiptarë, pjesëtarë të UÇK-së dhe 34 pjesëtarë të forcave serbe, që për nga kombësia 32 janë serbë, 1 rom dhe 1 malazias.

Një prej të dënuarve serb është Zoran Vukotiqi. Ai u gjykua për dhunë seksuale gjatë luftës. Aktgjykimi dënues për Vukotiqin i nxjerrë më 7 nëntor paraqet dënimin e parë përfundimtar që dënon dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës u kanë dhënë mbështetje psikologjike e mjekësore të mbijetuarave të dhunës seksuale, duke iu dhënë përkrahje edhe për të denoncuar kryerësit e krimit. Katër nga shtatë aktakuzat për gjykime në mungesë kanë të bëjnë me dhunën seksuale, dhe burojnë nga raportimet e tri grave dhe të një burri.

Fatmire Haliti, juriste në QKMRT, thotë se të mbijetuarat e dhunës seksuale ndihen më komode me dënimin e parë për dhunë seksuale gjatë luftës.
“Duke pasur parasysh dëshmimet në kohën e pasluftës, menjëherë kur viktimat i kanë denoncuar rastet në prokurori, në atë kohë të UNMIK-ut, dhe nuk është zgjidhur asnjë rast, pra nuk ka pasur aktakuza dhe aktgjykime dënuese, ka pasur një demotivim për vite me radhë te viktimat edhe nuk kanë dashur, nuk kanë pasur gatishmëri t’i raportojnë këto raste”, ka thënë Haliti. “Mirëpo, me kalimin e kohës, me rezultatet e fundit të prokurorisë, me ngritjen e aktakuzave të reja dhe gjykimin e fundit të Zoran Vukotiqit, ka ndryshuar qasja e të mbijetuarave ku ato kanë gatishmëri dhe janë tani të gatshme që rastet e tyre t’i raportojnë dhe për të dëshmuar”.

Haliti shtron nevojën që edhe gjatë proceseve gjyqësore, qasja e institucioneve të jetë e veçantë ndaj viktimave.

“Ajo që është si shqetësim për to është mbrojtja e identitetit, mbrojtja e të dhënave konfidenciale në mënyrë që të mos zbulohen si viktima, si persona që kanë përjetuar dhunë seksuale për shkak të stigmës që e kanë, qoftë në familje e qoftë në komunitet dhe në këtë aspekt ne kemi bashkëpunuar vazhdimisht dhe kemi organizuar edhe trajnime për hetues, për prokurorë e po ashtu planifikojmë edhe për gjyqtarë të kemi trajnime të vazhdueshme në mënyrë që qasja të jetë sa më senistive, që t’iu mbrohen të gjitha të dhënat dhe që identiteti i tyre të mos zbulohet në asnjë fazë”, ka theksuar ajo. “Kjo ka qenë një prej shqetësimeve dhe ne jemi duke mbajtur takime sensibilizuese vazhdimisht të mbijetuarat, kështu që herë pas here kemi raste që pranojmë dhe që paraqitet në polici dhe në hetuesi për t’i raportuar këto raste”.

Të mbijetuar e dëshmitarë jetojnë me plagët e masakrave që i përjetuan apo i panë. Për shumë nga ta nuk pati drejtësi, prej më shumë se dy dekadash.

Albert Imeri shpëtoi nga serbët, kur më 15 janar mbërriti të shmangej në shtëpi, pas urdhrit të forcave të uniformuara që meshkujt të dilnin nga aty e të përfundonin në Kodrën e Bebushit në Reçak, ku edhe u masakruan. Prej atëherë janë bërë gati 25 vjet dhe ai shpreh zhgënjim me drejtësinë.

“Deri më tani shumë të zhgënjyer jemi, edhe me institucionet tona, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Jemi të zhgënjyer në EULEX-in, e këta kush janë kompetentë për këtë punë. Shumë pak kanë punuar. Ne kemi nevojë për njerëz që punojnë, që punojnë në këtë drejtim, se ende i kemi, plagët i kemi të pashërueshme, që ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Imeri. “Ne nuk kemi nevojë për ata kryeministra, për ata njerëz që vijnë këtu çdo përvjetor veç me qitë lot krokodili. Duam njerëz që punojnë në këtë drejtim, që t’i vendosin para drejtësisë kriminelët. Le të punojnë pak më shumë në këtë drejtim se me të vërtetë si fshat dhe si individ jam i zhgënjyer me të gjithë. Me të gjithë jam i zhgënjyer, prej paslufte e këndej jam i zhgënjyer”.

Dhimbja e të mbijetuarve nuk zbehet.

Familjarët e viktimave nuk i rreshtin thirrjet për drejtësi.

E, Albert Imeri ka një brengë: për çdo vit të mbijetuarit po vdesin, pa e pasur mundësinë që dëshminë ta japin në gjykatë.