Fillimi i fushatës bombarduese të NATO-s nga qielli në natën e 24 marsit 1999 ishte shenjë e shpresës së madhe për shqiptarët e paarmatosur në Kosovë. Por bashkë me shpresën do të rritej edhe frika nga hakmarrja serbe në tokë.
Dhe forcat serbe menjëherë do të përshkallëzonin fushatën e vrasjeve masive dhe të spastrimin etnik. Qindra civilë u vranë dhe u masakruan vetëm në javën e parë pas fillimit të bombardimeve në emër të së drejtës humanitare nga aleanca më e fuqishme ushtarake.
Serbët nuk treguan mëshirë as për fëmijët e gratë e pambrojtura.
Një kuti të vogël me lapsa e kishte me vete dhjetëvjeçari Mirat Berisha, kur ai dhe 51 anëtarët e familjes Berisha u masakruan nga forcat serbe në mesditën e 26 marsit në Suharekë, para njëzet e katër vjetësh.
Mjetet me të cilat ai synonte të ndriste të ardhmen e tij u gjentën në një gropë me mbetje mortore në Korishë, më 1 shtator, gjashtë muaj pas masakrës.
Tani gjësendet e tij e të disa familjarëve kanë mbetur si dëshmi në lokalin ku anëtarët u vendosën me forcë aty, e u gjuajtën me breshëri plumbash e bomba.
Vendi është shndërruar në muze, ku kushëriri i tyre, Hysni Berisha, qëndron aty çdo ditë për të pritur vizitorët e për t’iu rrëfyer krejt çka përjetoi atë ditë.
“I kanë ekzekutuar nga dera, pasi që kanë bërë ekzekutimin kanë hyrë për herë të dytë, të këqyrin se kush po jep shenja të jetës dhe ai që ka dhanë shenja të jetës e kanë ekzekutuar, në mënyrën më mizore me plumb në kokë. Pas një kohe trupat i kanë ngarkuar në kamion”, ka thënë Hysni Berisha, familjar i të vrarëve.
Në këtë vend të Krushës së Vogël, që shteti ende nuk ka arritur ta kthejë në Kompleks Memorial, 24 vjet më parë 103 civilë u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe, 70 nga të cilët nuk u gjetën kurrë.
Në këtë hapësirë, Vezire Batusha shkon për t’i vajtuar dy djemtë dhe burrin e vrarë.
“Unë shpesh shkoj te kjo ngjarja aty, qaty ku janë vrarë. Iki nga fëmijët që të mos më shohin duke vajtuar. Aty vajtojë dhe vijë prapë. Por edhe ajo ka filluar të ndërtohet ka mbetur as andej as këndej”, ka thënë Batusha.
“Mos u brengos se nuk kanë çfarë na bëjnë”, janë fjalët e fundit që djemtë e Vezires, Burimi dhe Lirimi, ia thanë në momentin kur forcat serbe i ndanë me dhunë nga familja.
Të dy ishin të mitur, kur bashkë me burrat e tjerë të fshatit u goditën me breshëri plumbash, e pastaj u dogjën në një shtëpi njëkatëshe.
Vetëm gjashtë mbijetuan, pasi arritën të fshiheshin nën kufoma.
Katër ditë pas intervenimit të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe më 24 mars të 1999-s, në zonën e Drenicës ndodhi një nga masakrat më të mëdha në Kosovë.
Fshati Izbicë i Skenderajt, në të cilin strehoheshin edhe banorë të ikur nga disa fshatra të komunës, u shndërrua më 28 mars në zonë krimi, teksa rreziku për masakra në fshatra të Drenicës rritej.
Aty, të dielën e Bajramit të 28 marsit, në një livadh do të pushkatoheshin shumë civilë. 12 i mbijetuan krimit. Mes tyre është edhe Milazim Thaçi nga fshati Burojë, që pati kërkuar strehim të sigurt nga forcat serbe në Izbicë.
24 vjet pas, ai e rrëfen tmerrin që pati përjetuar kur u përball me forcat serbe.
“Qaty tu hangër bukë, qashtu kapak, veç kur kanë dalë, si prej dheu. Veç kur kanë dalë e gjujshin, na këqyrshim çka u ba. Ngje nuk kam sa janë kanë se nuk kam mujtë me i ngje, veç plot u mushë, edhe tani na kanë nda burrat açik edhe gratë me i nisë për në Shqipëri. Thojshin edhe erdh hesapi tu u ulë aty rend në stom të udhës”, ka thënë Milazim Thaçi.
Pas kësaj forcat serbe qëlluan mbi civilët për t’i vrarë 147 civilë. Varrimi i tyre u bë pak ditë pas masakrës.
“147 i kena varros të mërkurën, të dielën ata na kanë ba batare. Veç u mbet një plak e një plakë e nuk kemi mujtë atë natë me i varros...janë kanë ushtarët tonë, civilë, ballallarët e atyre që kanë pshtu, por plot kanë qenë”, ka shtuar ai.
mizori do të tentohej të fshihej. Vrasja e dytë për të vrarët në Izbicë do të ndodhte me varrimin e tyre në lokacione të ndryshme. Disa syresh vite më vonë u gjetën në varrezën masive në Petrovo-Sello në Serbi, për t’u rivarrosur në Kosovë.
Disa nga të mbijetuarit e kësaj masakre dëshmuan në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviqit.
Njëri prej tyre ishte Mustafë Draga, që vdiq muaj më parë. Në majin e 2020-s ai, në një intervistë për KOHËN, pati rrëfyer mbi përballjen me atë që u identifikua si “Kasapi i Ballkanit”.
“Po nuk u nijshe mirë por çka me ba. Po kur e kujtojsha anën tjetër ku ish kanë e ku kish ardhë. Ai ish në kllupë të zezë, e unë isha në kllupë të bardhë, të kuqe. Kunrej tina, unë beg isha aty, se nuk kisha ba kurrfarë zullumi, as vrasje, as kurrfarë...Ai kish ba që me u çudit bota se jo...si kuna qekjo dergja që u ra qetash që e ka vra krejt botën (COVID 19)”, ka thënë Mustafë Dragaj.
Hetimi i krimeve të luftës ishte kompetencë e prokurorëve të Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të njohur si UNMIK, pas vendosjes së misioneve ndërkombëtare civile e ushtarake.
Guximi për të kërcyer nga kamioni u bë rrugë e shpëtimit për Gramozin, i cili ishte tetë vjeç, bashkë me të ëmën, Vjollcën, e gruan e axhës, Shyhretin, gjatë transportit të viktimave drejt Prizrenit, ku serbët synonin t’i fshihnin gjurmët e krimit.
E, sot e asaj dite vetëm 25 trupa të familjes Berisha janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.
“Me të vërtetë emocionet janë të papërballueshme, edhe sot nuk bëj gjumë, vazhdimisht më fokusohen në mendjen time, në trurin tim, gjithmonë ajo që ende ata janë të zhdukur, edhe më duket që komunikojnë me mua, e thonë a po interesohet dikush me na gjet”, ka thënë Hysni Berisha, familjar i të vrarëve.
Për gjithë krimin e kryer Berisha ishte thirrur të dëshmonte në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit. Por nuk arriti të ballafaqohej me të, pasi disa ditë para se të dëshmonte Millosheviqi vdiq.
Por edhe ai asnjëherë nuk u intervistua nga institucionet e drejtësisë në vend.
“Shumica e dëshmitarëve nuk janë më në këtë botë, kanë shkuar ata me gjithë ato fakte e dëshmi që kanë pasur. Kjo është fatkeqësia më e madhe që nuk i ke të faktuara të gjitha ato prova, të gjitha ato dëshmi nuk janë të faktuara. Çdo qeveri që është ardhë, veprimin e vetëm që e ka bërë i ka ndërruar kryetarët e komisioneve, asnjëra nuk e ka marrë trashëgimi atë që ka bërë ajo, por gjithmonë kanë nisur nga fillimi", ka thënë Hysni Berisha, familjar i të vrarëve.
Në Prokurorinë Speciale nuk kanë dhënë sqarime për mungesë të rezultatit në hetimin e kryerësve të masakrës.
E, nga misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, i cili ka qenë përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës deri në vitin 2014, janë arsyetuar me ikjen e të dyshuarve jashtë Kosovës.
Momentin kritik ende e ka parasysh i mbijetuari Bajram Zylfiu. Ai thotë se i njeh me emra 56 serbët që kryen krime në atë ditë. Por deri më tani, vetëm Darko Tasiq është dënuar, me 11 vjet burg.
“Le të tregojnë ku i kemi të zhdukur. Hala nuk po zbulohet asgjë. Ne kemi trauma ende, kemi kujtime ende, askush nuk vjen të na pyes çka i keni punët. Kanë mbetur nënat me fëmijët të vegjël, pa rroga. Ia japin një ndihmë të vogël aty”, ka thënë Zylfiu.
Në Prokurorinë Speciale nuk dhanë informacione për mungesë të rezultatit për hetimin dhe ndjekjen e kryesve të masakrave.
E deri tani, në Tribunalin e Hagës për krimet e kryera në Kosovë janë dënuar gjithsej gjashtë persona.
KOHA ka kërkuar informata nga Prokuroria Speciale e Kosovës për numrin e personave të hetuar e të gjykuar për Izbicën, porse nuk ka marrë përgjigje.
Vitin e shkuar u ngrit aktakuzë për krime lufte në Izbicë ndaj kosovarit Muhamet Alidemaj. Aktakuza e ngarkon atë se gjatë periudhës kur është kryer masakra, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave policore e ushtarake serbe, i kanë ndarë me dhunë gratë e fëmijët dhe i kanë detyruar të shkonin drejt Shqipërisë. E burrat i kanë ekzekutuar në vend.
Vrimat e plumbave ende ruajnë dëshminë e krimit të 28 marsit të vitit 1999 të forcave serbe në qytetin e Podujevës. 39 jetë u shuan atë ditë në 5 masakra që ndodhën në pjesë të ndryshme të Podujevës.
Masakra më e madhe ndodhi pak metra larg stacionit të Policisë, ku ishin pushkatuar 7 anëtarë të familjes Duriqi, 6 të familjes Bogujevci, 2 të familjes Llugaliu dhe 1 i familjes Gashi. Nga ta 7 ishin fëmijë, 7 gra e 2 pleq.
Halim Gashi është 81 vjeç dhe thotë ta ketë të rëndë sa herë del në oborrin e shtëpisë, meqë aty u vranë 14 nga 16 viktimat e masakrës.
“I kishin mbështetë këtu, i kanë vra. Qyre këtu rend plumbat edhe 99 teneqe i kam gjet edhe një plumb pa kërsit”, ka thënë Gashi.
Jo larg nga këtu, në një shtëpi tjetër u vranë Selim e Idriz Tahiri, ndërsa Nazim Veseli u mbijetoi plagëve.
Ai tregon momentin kritik.
“Derisa ne kemi hyrë dhe kemi tentuar që sa më shpejt t’i ikim familjet nga këtu, kanë hyrë disa pjesëtarë të uniformuar të policisë speciale edhe na kanë marrë, na kanë futur në korridorin e shtëpisë që ka qenë këtu prapa neve. Unë, Idriz Tahiri, Selim Tahiri edhe Isak Isufi, që na kanë qit në ekzekutim edhe ka fillua me një breshëri të kallashnikovit prej 30 fishekësh, ku në ato çaste unë i kam pasur gjashtë plagë nga arma e kallashnikovit, Selimi edhe Idrizi kanë mbetur të vdekur të dy në vend, ndërsa Isaku ka shpëtuar pa asnjë plagë”, ka thënë Veseli.
Emin Abazi tregon momentin kur paramilitarët serbë hynë në shtëpinë e mikut të tij, ku ai me familje po qëndronte.
“M’i ka marrë çelësat në dorë edhe tha ti jo, po dal unë i çeli. Unë kam mbet në atë terasë aty, kur u ardhë e ka çel kapixhikun, shtatë janë kanë (paramilitarë), peshqirat i kanë pasë këtu (në ballë), këmbët të përvjelur deri në gju, automatikët në dorë, pos ia kanë dredhë automatin edhe e ka vra në vend (Ukë Ukën) tri herë. Edhe janë kthye në tjerat dyer edhe e kanë vra Rasim Muratin e Dumnicës, e kanë vra qat Sabedinin (Popova), ka thënë Emin Abazi, i mbijetuar.
Në të njëjtën ditë ishin vrarë edhe tre burra.
Saranda Bogujevci është njëra nga të mbijetuarat e masakrës së familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu. Ajo ka dhënë shumë dëshmi në një proces gjyqësor, që u zhvillua në Serbi. Për këtë masakër u dënuan 5 pjesëtarë të formacionit paraushtarak “Shkorpionët”.
Edhe Nazim Veseli thotë se në vitin 2004, nëpërmjet Fondit për të Drejtën Humanitare ka dëshmuar në një gjykatë në Beograd, por kurrë nuk ka marrë ndonjë lajm se është dënuar dikush.
Por, dëshmitë nuk janë marrë edhe nga autoritetet kosovare të drejtësisë.
Miftaraj kërkon që hetimet të fokusohen te strukturat komanduese serbe.
KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale përkitazi me hetimet potenciale rreth masakrave në Podujevë, por gjatë ditës kanë munguar përgjigjet.
Por drejtësia vendore e ndërkombëtare nuk ka vepruar as për hetimin e krimeve dhe nxjerrjen e kriminelëve para drejtësisë për masakrën e 29 marsit 1999 më Beleg të Deçanit, ku forcat serbe masakruan 49 shqiptarë dhe 40 të tjerë i zhdukën me dhunë.
Nurishahe Vishaj dhe banorë të tjerë të fshatit prej atëherë janë në kërkim të më të dashurve të tyre. Në përvjetorë mban fotografinë e Fatonit, që në kohën e zhdukjes ishte 16 vjeç, teksa rrëfen për ditën kur janë rrethuar nga forcat serbe. Ajo nuk ka ndier mbështetjen institucionale.