24 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova ende nuk ka të dhëna të sakta për krimet dhe dëmet e luftës së viteve 1988-99. Këtë, po synon ta bëjë Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, por jo para vitit 2024. Zyrtarë të organizatave, që merren me këtë çështje, përveçqë e shohin të vonuar këtë nismë, nuk presin që Instituti do t’i dokumentojë qind për qind krimet
Rrëfimet, që i ka mbledhur për të dokumentuar krimet serbe, në Komunën e Podujevës janë të shumta. Latif Mehmeti, nga Shoqata për persona të pagjetur dhe viktima të luftës “Përkorë”, thotë se për këto 24 vjet, i ka grumbulluar më shumë se gjashtëmijë faqe materiale të ndryshme për krimet e kryera gjatë luftës së fundit. Krejt këtë punë, thotë se e ka bërë në mënyrë vullnetare, pa asnjë kompensim.
“Brenda këtyre viteve, si Shoqatë e kemi bërë regjistrimin dhe evidentimin e disa rasteve, i kemi regjistruar të gjitha familjet dhe kemi bërë një databazë, për çdo person të vrarë (në Podujevë v.j.), duke përfshirë edhe nga një deklaratë të familjes, i kemi grumbulluar raportet e mjekësisë ligjore të Tribunalit të Hagës, që i ka zhvarrosur pas luftës, 78 persona, dokumentet e personave të zhdukur nga Mjekësia Ligjore dhe e kemi bërë një databazë me mbi 6500 faqe dokumente të llojllojshme, ku i vërtetojnë krimet e luftës në Kosovë”, thotë Mehmeti.
Përveçse është kritik ndaj institucioneve të shtetit, që nuk kanë arritur ta kenë një regjistër me të dhëna të sakta që dëshmojnë këto krime, Mehmeti nuk pret as tash nga Instituti i ri i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë se do të mund t’i evidentojë të gjitha krimet.
“Shumë pak, për mos me thënë fare. 24 vjet pas përfundimit të luftës nuk e kemi një regjistër të saktë, për persona të vrarë në Kosovë. Çka të themi më tepër? Me bindje të plotë, them se nuk do të arrijë (Instituti v.j.) të evidentojë disa raste, disa krime, të gjitha masakrat që kanë ndodhur. Vetvetiu, që një numër i madh i familjarëve kanë vdekur, dëshmitarët kanë vdekur, shumë familje kanë emigruar anembanë botës”, thotë ai.
Me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve në Kosovë është marrë edhe Fondi për të Drejtën Humanitare.
“Në fakt, ka kaluar më shumë se dy dekada e gjysmë nga përfundimi i luftës, në Kosovë dhe sigurisht shumë prova, shumë evidenca, shumë dëshmi nuk janë marrë, nuk janë arkivuar edhe shumë prej provave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, tashmë janë zhdukur përgjithmonë. Pra, sigurisht që është vonë. Mirëpo, është me rëndësi që edhe pse vonë është krijuar Instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe megjithatë mund të mblidhen ende fakte dhe prova, për atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës dhe të krijohet ai narracioni kolektiv mbi të kaluarën, i cili bazohet në prova”, thekson Bekim Blakaj, përfaqësues i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. “Pra, më mirë vonë se kurrë, është shumë me rëndësi që së paku tani në mënyrë shumë efikase dhe efektive të mblidhen të gjitha provat që janë ende, të intervistohen dëshmitarët okularë, të mbijetuarit në mënyrë që rrëfimet e tyre të pasqyrohen”.
Krimet nuk kanë shifër të saktë
Blakaj thotë se deri tani, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i kanë realizuar 20 mijë intervista me familjarë të viktimave dhe se numri prej 13.535 të vrarëve dhe të zhdukurve është më afër të vërtetës.
“Është vështirë të flitet me përqindje, mirëpo ka ende prova, ka ende evidenca, të cilat mund të mblidhen. Në rend të parë unë po shpresoj që Instituti i ri ka me u marrë edhe me analizimin e materialeve dhe dokumentacioneve, që janë prodhuar nga gjykatat e ndryshme, në rend të parë nga Tribunali Penal ndërkombëtar për ish-Jugosllavi t’i merr ato arkiva, ka dëshmi që aty janë deponuar, ka edhe prova të tjera, që janë administruar në raste për krimet e luftës në Kosovë, që janë proceduar para kësaj Gjykate. Sigurisht edhe në gjykatat vendore edhe në arkiva të ndryshme, ka prova të cilat mund të shfrytëzohen për vendosjen e atij narracioni të saktë mbi të kaluarën”.
Blakaj, thotë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me këdo, që e ka për mision nxjerrjen e së vërtetës për të kaluarën.
Këtë vit, është rithemeluar Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Drejtorit ekzekutiv, Atdhe Hetemi, pranon se Kosova është vonuar në dokumentimin e këtyre krimeve. Ai, thotë se aktualisht janë në procesin e hartimit të Rregullores dhe sistematizimit të vendeve të punës.
“Ideja fillestare është që ky Institut të jetë një pikë grumbullimi i të gjitha materialeve të institucioneve, organizatave ose individëve, që kanë një sasi të dokumenteve apo materialeve të tjera, që dokumentojnë krimet e luftës. Për më tepër se kjo, Instituti gjithashtu do të ketë ekipet e veta të terrenit, si dhe nga një përfaqësues në të gjitha rajonet. Do të thotë, do të ndihmojë ose do të grumbullojë materiale edhe të reja, ato materiale të cilat respektivisht nuk i ka asnjë institucion tjetër apo asnjë individ tjetër që është marrë me këtë çështje apo me këtë fushë deri më tani”, thekson Hetemi.
I pyetur nëse do të mund të nxjerrin të dhëna përfundimtare edhe sa i përket numrit të viktimave, dëmeve materiale e dëmeve tjera të luftës, Hetemi thotë se Instituti do bëjë përpjekje.
“Meqenëse Instituti në qendër e ka viktimën, do të thotë se do të përpiqet që edhe t’i saktësojë këto shifra që ju po i përmendni. Ky është njëri prej misioneve kryesore të Institutit. Për më tepër, më lejoni gjithashtu t’ju njoftojë që në regjistrimin e popullsisë që do të bëhet tani së bashku me Agjencinë e Statistikave, për ta krijuar një tablo ose një informatë kështu më të përgjithshme, janë përfshirë edhe tri pyetje, që kanë të bëjnë me viktimat e luftës, me dëmet e luftës që u janë shkaktuar njerëzve në Kosovë e kështu me radhë. Dhe kjo, do të jetë si një lloj pikënisje, po mendoj”, thotë ai.
Mbledhja e të dhënave nisë më 2024
Megjithëkëtë, Hetemi nuk e di se kush do ta bëjë verifikimin e dhënave, që do të merren me regjistrimin e popullsisë, pasi Latif Mehmeti, dyshon se ka mundësi për manipulim të të dhënave nga deklaruesit. E Hetemi, thotë se nuk e di saktë se kur do të fillojë mbledhja e të dhënave që dëshmojnë krimet e luftës.
“Unë shpresoj që gjatë vitit 2024, shpresoj, uroj, jemi duke punuar, po them me goxha kompetencë se jemi duke u angazhuar, domethënë që në vitin 2024, veç të fillojmë me mbledhjen e materialeve. Ideja është që fillimisht materialet të mblidhen prej institucioneve, apo prej organizatave apo edhe prej individëve, që kanë një sasi të materialeve pastaj të krijohen ekipet që merren me mbledhjen e materialeve në terren edhe materialeve që i kanë njerëzit e caktuar, apo materialet që potencialisht nuk kanë arritur t’i mbledhin institucionet, organizatat apo individët e tjerë më përpara”, shprehet ai, tek thekson se synimi i Institutit është që të nxjerrë shifra sa më të sakta për të gjitha dëmet, qoftë në njerëz, atyre materiale, ekonomike e psiko-sociale.
Regjistrimi i të dhënave, ka thënë se do të bëhet në kopje fizike dhe elektronike. “E mira e këtij Instituti është se e ka linjën buxhetore, e ka stafin e paraparë. Derisa të konsolidohet komplet, Instituti do t’i ketë mbi 40 punëtorë, për shkak se ashtu është paraparë me Ligj. Në fazën krejt fillestare, do të thotë në vitin 2024, siç po dëshirojmë, siç po planifikojmë ne, gjysma e këtij stafi sigurisht se do ta fillojë punën e mandej në proces e sipër do të kompletohet edhe me anëtarët e tjerë të stafit. Profilet do të jenë të ndryshme, profilet e njerëzve që kanë me u angazhuar në Institut janë arkivistë, punëtorë terreni, pastaj hulumtues, e kështu me radhë”.
Rreth vonesës së dokumentimit të krimeve të luftës, KOHA e ka kontaktuar edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, por nuk është përgjigjur.