Arbëri

Krerët shtetërorë në Prekaz: UÇK-ja bëri luftë mbrojtëse, e vërteta s’mund të tjetërsohet

Krerët e tri institucioneve më të rëndësishme të vendit, Presidencës, Parlamentit dhe Qeverisë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz me rastin e 24-vjetorit të flijimit të familjes Jashari.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë homazheve ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe se e vërteta dhe drejtësia e Kosovës nuk mund të tjetërsohen nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen.

Ai shtoi se gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe si krerë institucionalë jo vetëm se nuk e harrojnë këtë fakt, por edhe dinë se si të ecin përpara.

“Erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari, të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar UÇK-së. Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991, edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia e e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen, gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si krerë të institucioneve të Kosovës, si përfaqësues politikë, si qytetarë të Republikës jo vetëm që nuk e harrojmë nga vijnë, por edhe e dimë se si të ecim mirë, mbarë dhe drejtë përpara”, ka thënë Kurti.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë homazheve ka folur për sakrificën e familjes Jashari, duke thënë se përveç thirrjes për drejtësi, trimëria dhe sakrifica e kësaj familje është udhërrëfyes i përhershëm i Kosovës.

“Sot jemi këtu për ta kujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, të cilët treguan një trimëri të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme kur të gjithë ne si qytetarë të Kosovës ishim në rrethimin gjenocidal të Serbisë. Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica prej atyre ishin gra e fëmijë që u vranë. Kjo ishte një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë për të cilën fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi. Përveç thirrjes sonë për drejtësi, ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes tonë të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari”, ka thënë ajo.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca nga ana tjetër ka thënë se sakrifica e kësaj familje ka bërë që bota demokratike të reagojë dhe të aktivizohet faktori ndërkombëtar duke e besuar kauzën e drejtë të vendit.

“Së bashku me presidenten e vendit dhe kryeministrin po i nderojmë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Është moment ky kur sakrifica kthehet në epope edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK. Një moment i cili jo vetëm që ktheu të gjithë kombin në një ushtri e të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë faktikisht e shkundi gjithë botën, e lëvizi botën demokratike dhe e aktivizoi faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejtë. Sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë”, Konjufca.


Krasniqi: Prekazi, vendi ku u shënua kthesa më të madhe në historinë e re të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me anëtarë të kësaj partie, në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Në Prekaz, duke e përkujtuar luftën heroike të kryekomandantit Adem Jashari por edhe të gjithë familjes Jashari.

Në këtë ditë të lavdishme, Krasniqi ka kujtuar edhe bashkëluftëtarët të cilët po mbahen në Hagë , Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të tjerë.

I pari i PDK-së, tha se 24 vite më parë në Prekaz UÇK morri forcën për të udhëhequr çlirimin e vendit duke e sjellë atë deri te pavarësia.

“Kurdoherë që vij këtu në Prekazin e lavdisë së përjetshme dhe veçanërisht në datat 5,6 dhe 7 mars në datat e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nder dhe përulje me respektin maksimal e përkujtojmë luftën titanike dhe sakrificën sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari. Në këto data të cilat kanë shënuar kthesën më të madhe në historinë e re të Kosovës por jo vetëm duke e zgjuar vëmendjen e të gjithë botës, por edhe duke e zgjuar vëmendjen e të gjithë kombit tonë dhe duke e vulosur një të vërtetë që pa një kryengritje dhe një luftë të armatosur, populli i Kosovës nuk do të fitonte lirinë. Andaj pikërisht këtu në Prekaz, 24 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës morri forcën që e kërkonte për t’u bërë udhëheqëse e çlirimit të Kosovës dhe për të krijuar pastaj rrugëtimin deri te pavarësia e vendit tonë dhe shtetit që e kemi sot”, tha ai

Kryetari i PDK-së kujtoi edhe katër bashkëluftëtarët e kryekomandantit legjendar, Adem Jashari që po mbahen në Hagë, e që shpreh dëshirën që në këto ditë të lavdishme të ishin së bashku.

“Në këto momente do të kishim dëshirë t’i kishim pranë vetës bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të gjithë të tjerët që sot nuk janë këtu dhe po e vazhdojnë betejën për të drejtën tonë, vërteten tonë dhe për historinë tonë. Por pa dyshim se mbi të gjitha çdo vizitë në Prekaz na shërben për tu frymëzuar dhe për të marrë fuqi që duhet secili njeri që ka marrë një përgjegjësi publike për të bërë punë të mira për vendin dhe për të vazhduar obligimet që kemi për ta ndërtuar një shtet të zhvilluar dhe që i ofron dinjitet secilit qytetarë të Kosovës”, kujtoj Krasniqi./KSP

Image

Haradinaj për Prekazin: Vend i shenjtë ku ndodhi kthesa e lirisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa bëri homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, për nder të 24-vjetorit të rënies heroike, ka thënë se në këtë vend është bërë kthesa e lirisë për shqiptarët.

Ai shtoi se në këtë vend do të përulet me respekt e vetëdije se sa e shtrenjtë është liria.

“Jemi në vendin ku ka ndodhur kthesa e lirisë për shqiptarët. Jemi në vendin e shenjtë të shqiptarëve. Do të vijmë çdoherë e të përulemi me respekt, të vetëdijshëm se sa e shtrenjtë është liria. Po ashtu do të kujdesemi që të veprojmë e ta mbrojmë lirinë, ta forcojmë Kosovën”, u shpreh Haradinaj para mediave.