Arbëri

Krerët institucionalë: Tërheqja e Bidenit nga gara shënon fundin e një epoke

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti / Foto: KOHA

Krerët institucionalë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, e kanë vlerësuar lart rolin e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për Kosovën, pas njoftimit të tij se do të tërhiqet nga gara presidenciale. 

Presidentja Osmani ka thënë se Bideni e ka mbrojtur gjithmonë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, për çka populli do të mbetet gjithnjë mirënjohës. 

“Nga ditët e tij si senator amerikan deri në mandatin e tij si zëvendëspresident dhe tani si President, Joe Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë. I urojmë Presidentit Biden një vazhdim të suksesshëm të mandatit të tij dhe gjithë të mirat për të, për Jill Biden dhe familjen e tij në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se Bideni ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe njoftimi i tij se do të tërhiqet nga gara shënon fundin e një epoke. 

“Për dekada me radhë, Jose Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj dhe avokuesi më i palodhur i Kosovës. Njoftimi i presidentit Biden shënon fundin e një epoke. Bota — dhe veçanërisht Kosova — është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, ka shkruar Kurti në “X”.

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se do t’i japë fund kandidaturës së tij për president të SHBA-së, duke thënë se është në interesin më të mirë të partisë së tij dhe të vendit.