Arbëri

Kremta e Fitër Bajramit në Shqipëri, mijëra besimtarë u falën në sheshin "Skënderbej"

Falja e Fitër Bajramit në Tiranë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe besimtarët u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e madhe në Tiranë. Ceremonia nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën dhe më pas vijoi me faljen e madhe në shesh.

Kreu i Komunitetit Mysliman, mes të tjerash në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët anëmbanë dhe gjithashtu që “Zoti t’u kishte pranuar agjërimin dhe t’i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës”, raportoi TCh.

“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, tha kreu i KMSH-së mes të tjerash në fjalën e tij me rastin e kësaj feste, para mijëra besimtarëve.

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi besimtarët myslimanë duke theksuar se “përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit”.

Një urim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se besimtarët përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi. 

“Zoti jua pranoftë lutjet dhe ju shpërbleftë për të gjitha sakrificat”.
Pritjet tradicionale organizohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00.