Jakup Krasniqi e Rabig Begaj do të dëshmojnë në procesin kundër Fatmir Limajt, i akuzuar për krime lufte. E, gjatë ditës, në këtë proces kanë dëshmuar Azem Syla, që u soll nga paraburgimi, Sokol Dobruna e Naim Maloku.
Rasti ndaj Limajt do të vazhdojë në fillim të muajit shkurt, derisa pas asaj seance pritet të caktohet ajo për fjalët përfundimtare. Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, pak informata kishte për atë se çka po ndodhte në terren.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Drita Hajdari, nëse shtabi kishte zyrë për informim ose nëse kishin lëshuar ndonjë komunikatë, Syla tha se nuk kishte lëshuar e as që kishte kërkuar një gjë të tillë.
Syla që në këtë seancë u soll nga paraburgimi, ku po mbahet si i akuzuar për rastin “Toka”, i përshkroi si të vështira kushtet e veprimit.
Syla mohoi të ketë pasur njohuri për komunikatën ku përmendeshin emrat e Selman Binishit e Ramiz Hoxhës, e pati reagime të mbrojtjes së Fatmir Limajt, lidhur me këtë komunikatë.
Njohuri për vrasjen e Binishit e Hoxhës, nuk kishte pasur as Sokol Dobruna që kishte udhëhequr Gjykatën Ushtarake të UÇK-së.
Gjithashtu, edhe një epror i UÇK-së, Naim Maloku, ishte dëshmitar në këta rast që bëri të ditur se në një tubim me banorët e Bellanicës, dikush nga familjarët kishte ngritur dyshimet se vrasjet ishin bërë nga UÇK-ja.
Dëshmitari i fundit për këtë seancë ka qenë Muhamet Hoxha nga fshati Bellanicë, që tregoi për momentet kur nga dyqani i tij, persona të maskuar e kishin futur në veturë Selman Binishin, por tha se nuk i kujtohet të ketë parë emblemë a shenjë identifikuese të UÇK-së.
Dy bashkëpartiakë të Limajt, Jakup Krasniqi e Rabig Begaj, me kërkesë të prokurores Hajdari do të jenë dëshmitarë të radhës, kërkesë që nuk u kundërshtua nga mbrojtja, megjithëse u konsiderua kërkesë e paligjshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Fatmir Limaj, si komandant i Brigadës 121, nuk kishte marrë masa për të parandaluar vrasjen e viktimave Ramiz Hoxha e Selman Binishi.
Seanca e ardhshme është caktuar për në fillim të muajit shkurt, seancë pas së cilës pritet të caktohet edhe ajo për fjalët përfundimtare.