Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, njoftoi se ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë, ku tha se kanë folur për Kosovën dhe ndërtimin e saj.
Ai ka shkruar në Facebook të dielën se Thaçi ishte i qetë dhe i palëkundur, pa ankesë “e asnjë shenjë hidhërimi”.
Krasniqi ka shtuar se Thaçit padrejtësisht po i mohohet e drejta që ta shohë babanë e sëmurë, duke u shprehur se besimi i palëkundur në drejtësi do të triumfojë.
“Sot, një tjetër vizitë në Hagë – në një vend që për Hashim Thaçin dhe çlirimtarët tanë është një betejë e re. Një front ku liria tash e pesë vjet po mbrohet ndryshe – me qëndresë dhe dinjitet. Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë - e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm. Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë”, ka shkruar Krasniqi.