Arbëri

Krasniqi: Vendi në ditët më të vështira nga çlirimi, njerëzit duan të ikin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se Kosova është në ditët më të vështira që nga çlirimi.

Sipas tij, vendi është në një depresion me njerëzit të cilët presin para ambasadave për një vizë për t’u larguar.

Këto deklarata i bëri gjatë Konventës së 7-të të Rinisë Demokratike të dielën, ku ftoi rininë që të angazhohet pranë forumeve të PDK-së.

“Jeni dëshmitarë se aktualisht Kosova është në ditët më të vështira të saj që nga çlirimi i vendit. Ekonomia e vendit tonë nuk po zhvillohet, shtetësia jonë p kontestohet, lufta jonë për liri po gjykohet, ndërsa qeveria jonë nuk ka zgjidhje për asnjë nga krizat e njëpasnjëshme që i ka prodhuar vet dhe çka ka sjellë kjo gjendje sot, një frymë depresioni. Familjet kosovare janë në krizë sociale, puna është e pamjaftueshme dhe perspektiva shihet duke pritur për një vizë në ambasada të huaja. Gjendja është e rëndë por duke ju parë juve sot e di që nuk ka gjendje të rëndë që mund ta ndalë vullnetin e juaj për t'i kthyer gjërat mbarë”, deklaroi Krasniqi.

Kryetari i PDK-së ka shtuar se mision i të rinjve por edhe i vetë Partisë Demokratike është “që të thyejnë këtë depresion dhe të mbjellin shpresën dhe të ardhmen që i duhet këtij vendi”.

“‘Ti ki za’ realisht flet për juve individualisht dhe unë e di që ndonjëherë një i ri apo e re në Kosovë nuk e ka lehtë që ta ndiejnë veten që dëgjohet. Por vërtetë dhe e them me bindje secili prej jush ka zërin e brendshëm që është ndikues e në mënyrë të veçantë kur këta zëra tuaj bëhen bashkë, përbashkohen siç jeni përbashkuar këtu sot, padyshim që jo vetëm do të kumbon si zë i fuqishëm por do të jetë zëri që do t'i japë drejtim pozitiv gjithçkaje për të cilën ju dëshironi, ëndërroni e për të cilën ka nevojë vendi ynë sepse përballë një qeverisje depresive ne kemi mision që ta thyejmë depresionin e ta mbjellim shpresën dhe të ardhmen që i duhet këtij vendi”, ka thënë ai.

Krasniqi bëri thirrje të gjithë të rinjve të PDK-së që të angazhohen, duke u thënë se janë forca e vetme që mund të ndryshojë Kosovën.

“Për ndërtimin e të ardhmes në të cilën ne dëshirojmë të ecim, nevojitet shumë punë. Por, rrugën e kemi nisur dhe s'do të ndalemi. Ne do të ecim bashkë e do të jemi bashkë që së bashku ta nxjerrim Kosovën në një tjetër nivel. Ne mund ta bëjmë këtë gjë së bashku. Partia Demokratike e Kosovës mund dhe duhet ta bëjë këtë gjë për Kosovën, për t'i hapur rrugë kësaj epoke ndryshimi duhet të nisë brenda secilit prej nesh. Bota po ndryshon, Kosova duhet të ndryshojë. Ju duhet të jeni forca që ndryshon Kosovën. Rinia Demokratike është adresa, ndërsa zëri juaj është kauza. Askush më mirë se ju dhe zëri juaj nuk mund ta portretizojë Kosovën që e duam sepse ju jeni e ardhmja e asaj Kosove”, tha Krasniqi.

Gjatë Konventës së shtatë zgjedhore të Rinisë Demokratike pritet të zgjidhen edhe strukturat e reja të këtij forumi. /KSP