Arbëri

Krasniqi: Ti mund të jetosh si i krishter në këtë shtet, por duhet të varrosesh si mysliman

Artur Krasniqi

Pastori Artur Krasniqi ka thënë se në Kosovë mund të jetosh gjithë jetën si i krishter, mirëpo do të varrosesh si mysliman. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi e ka akuzuar shtetin se nuk lejon të varrosesh ndryshe.

Ai tutje ka thënë se Kosova nga shtet laik po bëhet shtet fetar. 

“TIKA në Kosovë është e përfshirë në jetën fetare, ambasada turke në Kosovë është e përfshirë në jetën fetare, përbën shkelje të rëndë. Ambasada amerikane, USAID-i kurrë nuk është përfshirë në jetën fetare, është absurde. Ta ndërtosh një kishe protestante në Kosovë, gati-gati është e pamundur të marrësh leje. 24 vjet pas luftës, një rast të rëndë po e përmendi, është çështja e varrimeve. Ne mund të jetojmë tërë jetën si të krishterë, por në fund duhet të varrosesh si mysliman sepse nuk të lejojnë të varrosesh ndryshe. Në këtë shtetin tonë, sepse askush nuk të jep të drejtë varrimi. Në anën tjetër, shteti ynë e financon një komunitet fetar, vetëm një, në emër të varrimeve. Ne po jetojmë në një shtet që po bëhet fetar, këtë e ndien për çdo ditë”, ka deklaruar ai.


Gjinovci: Hoxhë Shefqeti ka thënë se Nëna Terezë do të shkojë në ferr. Mulla Osmani: S'ka gabuar

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, në debatin për konvertimet religjioze ka thënë se ndarjet në mes të feve ekzistojnë në të gjitha shoqëritë në botë. Por, sipas tij, në Kosovë këto kanë shpërthyer pas luftës, pasi që më parë sipas tij ka pasur përpjekje për t’i shkrirë. 

“Prej Pashko Vasës ekziston një përpjeke për ta shkrirë këtë ndarje që është normale, në krejt shoqëritë e botës ata që kanë fe të ndryshme kanë nga pak fërkime. Për shkak të brutalitetit me të cilin kjo shtypet te shqiptarët qoftë nga regjimi i Enver Hoxhës, qoftë nga të tjerët që nuk ishin në atë regjim por që kishim një armik e është dashur ta shtypim sa më shumë e të mos vijë në pah, kjo tash po shpërthen pas luftës”, ka deklaruar Gjinovci. 

Ai ka përmendur edhe një deklaratë të hoxhës Shefqet Krasniqi për Nënën Terezë. 

“E sheh një debat, ‘Nëna Terezë ka me shku në xhehenem’ ka pas thanë Shefqet Krasniqi, me këqyr holl e holl me mësimet e fesë islame s’ka gabuar, sepse ajo s’ka qenë myslimane, në anën tjetër po në mësimet e fesë islame ne nuk bën të përzihemi në punë të zotit se ai është mëshirues e mëshirbërës, ndoshta ajo e ka bërë një sevap diku që e fiton xhenetin”, ka theksuar Gjinovci. 

Në kohën sa Gjinovci ka folur për deklaratën e Krasniqit, imami i xhamisë së Drenasit, Osman Musliu, ka thënë se Krasniqi “S’ka gabuar”.


Beka: Konvertimet e fundit në katolikë, reaksion për të ruajtur vlerat kombëtare

Basri Beka nga organizata “Shqiptaria”, ka thënë se konvertimet e fundit në katolikë janë reaksion i natyrshëm për të ruajtur vlerat kombëtare.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Beka ka akuzuar imamët se kanë tendencë për ta tjetërsuar popullin dhe për ta orientuar në një kulturë tjetër. 

“Ne si organizatë jemi neutralë plotësisht ndaj besimeve fetare, nuk na intereson çfarë besimi ke, duam si shqiptarë të mos fyhemi. Si popull të ruajmë identitetin, kulturën dhe trashëgiminë tonë. Ne shohim çdo ditë prej imamëve të ndryshëm që fyhen figurat kombëtare. Çdo ditë shohim që është një tendencë për ta tjetërsuar këtë popull, për ta orientuar në një kulturë që në të vërtetë nuk e ka. Andaj kjo çka po ndodh sot me pagëzime, ne e shohim një reaksion të natyrshëm sepse ky popull ka arritur të mbijetojë me shekuj... për ne është e ligjshme, në Kosovë nuk është e dënueshme me ligj blasfemia. Tendenca e islamit politik për të demonizuar, për të etiketuar. Nuk është mirë të etiketosh. Kosova është shtet laik”, ka thënë ai. 


Musliu: Kisha e paligjshme në Llapushnik po del të jetë e fesatit

Imami i xhamisë së Drenasit, Osman Musliu, ka thënë se në Kosovë janë ndërtuar kisha vend e pa vend.

Derisa ka folur për ndërtimin e kishës në Llapushnik ai ka thënë se ai është objekt i fesatit dhe se është ndërtuar pa leje. 

“Kur filloi ndërtimi i kishës në Llapushnik, unë DOLA kundër në aspektin e mënyrës së fillimit të nderimit të kishës, së parti lokacioni, u ndërtua në kodër të Drenicës, familjet ku kishe ishin konvertuar nja dy-tre veta ishin 500 metra me larg, pse nuk e qitën të shtëpitë, por në kodër. Unë dola kundër saqë kam pasur edhe presion prej politikës, një prej ministrave më ka thirr, 17 minuta kam fol me të në telefon, unë e bërë një postim tha ‘kryetari i kuvendit, Kadri Veseli ka qenë atëherë, merr pjesë në objektin e paligjshëm. Sot objekti në kodrën e Llapushnikut nuk ka leje, njëherë i kërkuan 5 hektarë, njëherë për varreza ... ai po del të jetë objekt i fesatit ... ndërtimi i kishës edhe sot është komplet pa leje”, ka theksuar Musliu në emisionin “Konfront” në KTV.

Ai ka thënë se ka dalë edhe kundër ndërtimit të xhamive ne vendet ku nuk u shërbejnë besimtarëve.

Musliu ka deklaruar se asnjë hoxhë nuk ka problem me konvertimet në fenë katolike.


Gashi: Këto nuk janë konvertime, janë rikthim në fenë e të parëve

Arbër Gashi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes së Deçanit, ka thënë se konvertimet religjioze që po ndodhin në Kosovë nuk janë konvertime, por rikthime në fenë e të parëve. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Gashi ka thënë se konvertim do të ishte po që se një person kalon nga një fe joabrahamike në një fe abrahamike. 

“Këto rikthime, jo konvertime sepse konvertohen p.sh. ata që janë budistë në një fe abrahamike, por këta që janë të feve abrahamike rikthehen nuk konvertohen. Pra, nuk do t’i quaja konvertime. Konvertimet janë diçka krejtësisht tjetër, te ne kemi të bëjmë me një rikthim të shqiptarëve në një religjion të tyre që e kanë pasur në të kaluarën dhe në një periudhë historike janë detyruar ta lënë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se një prej arsyeve që po ndodhin këto, siç i quan ai, rikthime, lidhet me orientimin ideopolitik dhe fetar të imamëve në Kosovë, që sipas tij, bien ndesh me interesat kombëtare.

“Arsyeja se pse po ndodhin këto rikthime ka të bëjë sigurisht edhe me reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe imamëve dhe punës së tyre gjatë 25 vjetëve të fundit, përndryshe edhe po të mos kishte ndodhur kjo që ka ndodhur me imamët, e pritshme ka qenë që shqiptarët t’i kthehen vetvetes siç kanë qenë në të kaluarën, megjithatë kjo nuk ndodh pa një shtytje dhe reagimi i imamëve, puna e tyre, orientimi i tyre ideopolitik dhe fetar që totalisht bie ndesh me interesat tona kombëtare dhe me përfaqësimin që duam të kemi në të ardhmen në Bruksel, ka sjellë deri këtu. Një pjesë e madhe e organizatave që bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën kanë ndikuar që një pjesë e madhe e shqiptarëve t’i rikthehen besimit të tyre të parë”, ka thënë ai.