Arbëri

Krasniqi: Për mosrespektimin e marrëveshjeve të CEFTA-s nga Serbia i jemi drejtuar BE-së

Në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike është duke raportuar, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.

Ai ka folur lidhur me mosrespektimin e marrëveshjes së CEFTA-s nga ana e Serbisë. Për këtë ai ka thënë ai ka thënë se i janë drejtuar kryeministrit, presidentit e zyrës së BE-së.

Një prej problematikave ka thënë se është përfaqësimi në këtë marrëveshje i Kosovës me mbishkrimin UNMIK. Krasniqi ka theksuar se kanë marrë garanci nga përfaqësues të CEFTA-s që së shpejti kjo çështje do të zgjidhet. Në këtë mënyrë sipas tij në takime në nivel rajonal Kosova do të ketë më të lehtë që të përfaqësohet.

Ndërsa sa i përket subvencioneve të ndara për bizneset gjatë pandemisë, ministri Krasniqi ka thënë se me buxhet të shkurtuar janë munduar që të ndihmojnë bizneset.

Ka thënë se kanë ndarë makineri e pajisje teknologjike prej 500 mijë eurove për 24 biznese të ndryshme. Ai ka thënë se për të përfituar kanë aplikuar më shumë se 300 biznese por se mundësitë buxhetore për mbështetje i kanë pasur për vetëm 24 biznese.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nga ministria e Financave që të dyfishojnë edhe buxhetin për subvencionim të bizneseve që udhëhiqen nga gratë. Aktualisht ka thënë se buxheti i vitit për mbështetje për këtë kategori është 400 mijë euro.

Deputetja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar të dijë nëse Ministria ka bërë inspektime për të hequr nga tregu mallrat që nuk e kanë shenjën e CEFTA-s.

Gjithashtu është interesuar edhe për gjetjet e raportit të BE-së për vendin, ku si problem në dy vitet e fundit është ngritur çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës në fushën e tregtisë.

Krasniqi në përgjigjen e tij ka theksuar se sa i përket mallrave që nuk përmbajnë shenjën e konformitetit sipas marrëveshjes së CEFTA-s por shenjën me 3 A që është shenjë e konformitetit të mallrave që vinë nga Serbia, e që duhet të jetë KK, shenja e konformitetit për Kosovën, ka thënë se e kanë ngritur këtë çështje dhe se kanë marr premtime nga përfaqësues të CEFTA-s se do të ndërmarrin veprimet e duhura. Nëse nuk ndërmerren hapa, ka thënë se do të ndërmarrin hapa për të hequr këto produkte nga tregu.

Deputeti PDK-së Ferat Shala, ka thënë se ministria ka qenë larg bizneseve në kohën e pandemisë.

Sipas tij sektori i industrisë nuk e ka ndjerë mbështetjen e shtetit në këtë kohë.

Krasniqi në përgjigjen e tij ka deklaruar se kanë pasur dy herë kanë pasur shkurtime buxhetore dhe se kjo iu ka pamundësuar mbështetjen e këtyre bizneseve.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj për mosrespektim të CEFTA-s nga ana e Serbisë e ka pyetur Krasniqin nëse kanë menduar që të vendosin masa të reciprocitetit.

Sipas tij kjo është e vetmja mënyrë efikase për këtë çështje.

Ai ka pyetur se si mund të hyjnë në Kosovë, mallra që Kosovës nuk i referohen si shtet.

Për këtë ka thënë se përgjigjeje do të duhet të jap edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Deputetja e LVV-së Kusari-Lila, ia ka kujtuar Lekajt se vendimi i parë i qeverisë, pjesë e së cilës është edhe partia e tij, ka qenë heqja e reciprocitetit. Ndërsa në përgjigjen e tij ministri Krasniqi, ka thënë se rreth 80 deri 90 për qind e mallrave të Serbisë hynë në Kosovë me shenja sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje.

Për mallrat që hynë jashtë rregullave ka thënë se është përgjegjësi e doganave. Në kompetencën e tij ka thënë se kanë filluar me konfiskim të këtyre mallrave dhe se si qeveri së shpejti do të dalin me një vendim.

Deputetja Kusari-Lila, ka kërkuar të dijë edhe lidhur me zonën ekonomike në Malishevë, themelimi i së cilës është paralajmëruar se do të bëhet nga kjo qeveri, pas anulimit që i ishte bërë në qeverinë Kurti.

Ajo e ka pyetur Krasniqin nëse kanë bërë ndonjë studim fizibiliteti për këtë zonë. Kjo ka nxitur reagimin e deputetit të Nismës, Emdrit Shala e atij të AAK-së Pal Lekaj, të cilët kanë kërkuar nga deputetja që të flas për temat për të cilat është thirrur ministri në raportim dhe jo për çështje politike.

Veseli ka thënë se edhe anulimi i kësaj zone pa studim fizibiliteti, kur ka ardhur në fazën e tretë të themelimit, ka qenë vendim i gabuar. Krasniqi ka thënë se kërkon që kjo zonë të kthehet dhe të miratohet.