Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në konferencë për media është pyetur edhe në lidhje me atë nëse Sokol Bashota do të jetë kandidat nga radhët e PDK-së për kryetar të Klinës. Bashota është certifikuar nga KQZ-ja për kryetar të Klinës nga radhët e PDK-së. Por disa ditë më pas Apeli ka marrë vendim për të vërtetuar aktgjykimin e Themelores ndaj Bashotës dhe ish-nënkryetarit të Klinës, Enver Berisha, për “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve tjera financiare”.
“Për ne është e rëndësishme të zbatohet korniza ligjore dhe z. Bashota është certifikuar nga KQZ-ja. Në komunikim me përfaqësuesit tanë në KQZ, në momentin që të kemi kërkesë për ndryshimin e kandidatit do ta bëjmë këtë në konsultim natyrisht me degën e PDK-së në Klinë. Do të jetë vendim që do të ju njoftojmë shumë shpejt në momentin që të merret”, ka thënë Krasniqi.