Burgim prej 62-vjetësh

Krasniqi për dënimin e dhunuesve të 11-vjeçares: Kulmi i dënueshmërisë

Kimete Krasniqi, avokate e 11-vjeçares që ishte viktimë e dhunimit në qershor të 2022-tës, ka thënë se dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për gjashtë të akuzuarit me 62 vjet burgim, është në kulmin e dënueshmërisë më të lartë. 

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Krasniqi ka lavdëruar Prokurorinë Themelore në Prishtinë për përpilimin e aktakuzës, për çka ka thënë se çdo gjë ka qenë e dokumentuar.  

“Është në kulmin e dënueshmërisë më të lartë. Aktakuza ka qenë shumë mirë e përpiluar, në të cilën janë paraqitur fakte veç e veç për secilin, ka qenë çdo gjë e dokumentuar, ka pasur fakte të mjaftueshme, ka pasur dokumente mjekësore, ekspertiza, dëshmi dhe besoj që ka qenë një aktakuzë e kompletuar nga Prokuroria Themelore, Departamenti për të mitur”, ka thënë ajo.

Ajo ka njoftuar se viktima aktualisht gjendet në strehimore dhe gjendja e saj është ende e rëndë. 

“Viktima për momentin gjendet në strehimore, ajo vizitohet nga familjarët e saj në kohën e caktuar, gjithashtu ndjek shkollimin. Është me kontrolle mjekësore dhe me vizita të ndryshme të specialistëve. Gjendja e saj nuk është për t’u dëshiruar, por shpresojmë se me kohën do të bëjë më mirë”, ka thënë ajo. 

Sipas Krasniqit, viktimës i takon kompensimi për mbrojtjen e viktimave, të cilin do ta paraqesin te Ministria e Drejtësisë. 

“Ndërsa kërkesën pasurore juridike do ta paraqesim pranë Gjykatës Themelore, por duhet të presim derisa të bëhet vendimi i plotfuqishëm. Ende nuk e kemi vlerësuar kërkesën, pasi duhet të shtjellohen mirë raportet mjekësore e duhet të flasim edhe me të miturën dhe familjen e saj”, ka theksuar ajo. 

Ajo ka njoftuar se prokuroria deri tani nuk ka ngritur ndonjë hetim për motelet në të cilat dyshohet se ka  ndodhur dhunimi.

“besoj që do të duhej të kishte ndonjë siguri më të madhe, ndonjë ndalesë apo verifikim më të madh se kush hyn apo kush del e sa vjeçarë janë personat që futen aty. Për disa motele kemi njohuri se në to është kryer dhunimi”, ka deklaruar ajo. 

62 vjet burgim janë shqiptuar ndaj gjashtë të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë në qershor të 2022-tës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, 12 vjet burgim i janë dhënë një të akuzuari, ndërsa nga 10 vjet të tjerëve.