23:48 - Memli Krasniqi, deputet i PDK-së, ka thënë se kjo parti nuk është e interesuar për zgjedhje aktualisht.
Sipas tij, zgjedhjet do të mbahen kur të thotë kjo parti.
“Jemi partia më e rëndësishme në vend, normalisht ne vendosim për zgjedhje. Pa vendos PDK-ja s’mund të vendoset”, ka thënë Krasniqi në Interaktiv të KTV-së.
I pyetur për deklaratat nga LDK-ja për kërkesë për zgjedhje të parakohshme, Krasniqi ka thënë “urdhëroni, të shohim a mund të mbajnë zgjedhje, se po flasin për zgjedhje, por nuk më duket se e kanë njëmend”.
“PDK s’është e interesuar në zgjedhje, jemi të interesuar që mandati të shkojë deri në fund. Të fillojë tradita e mandateve të plota. Për ne prioritet është implementimi i projekteve të rëndësishme”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi deklarohet për debatin UÇK-FARK
23:45 - Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se debati i fundit UÇK-FARK është i keqpërdorur politikisht.
Pak ditë pas përplasjes së deputetëve Anton Quni i LDK-së dhe Xhavit Halitit të PDK-së, Krasniqi ka thënë se debatet e tilla duhet të bëhen përmes informacioneve dhe dokumenteve.
“Unë mendoj se ky debat është keqpërdorur politikisht. Për këtë debat duhet të flasin ata që janë akterë në të vërtetë, bartës e që kanë informacione. Çfarëdo debati që nxit ndasi mendoj se është i dëmshëm, por një e vërtetë historike duhet të ekzistojë. Duhet të flasin historianët, por jo historianë në shërbim të politikave, por duke u nisur nga informacionet që janë në dispozicion, dokumentet edhe akterët që janë gjallë. S’është debat për histori që të shkosh në studio televizive e me fol çka ta merr mendja, pavarësisht kush. Duhet të flitet me dokumente, me njerëz që kanë marrë pjesë në këtë zhvillim. Bartësit kryesorë s’kanë folur. Pastaj duhet të flasin të tjerët. Kontributi i askujt nuk duhet të mohohet. Të gjithëve që kanë rrezikuar për lirinë e Kosovës duhet hequr kapelën, por nëse ka pas devijime, probleme, që kanë rrjedhë prej nismave të caktuara duhet t’i dimë edhe ato”, ka thënë Krasniqi.
Suspendimi i zyrtarëve me aktakuzë Krasniqi shpreson të bëhet kur të ndryshohet ligji
23:41 - Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se projektligji, që parasheh suspendimin e zyrtarëve shtetërorë në momentin që vërtetohet aktakuza, është i mirëpritur nga kjo parti.
Disa zyrtarë të kësaj partie së fundmi u përfshinë në aktakuzën për rastin “Pronto”. Aty ishte edhe ministri Besim Beqaj, që u bë ministri i tretë i Qeverisë Haradinaj me aktakuzë. Sipas Krasniqit, përmes këtij ligji do të bëhej gjithçka më e qartë dhe s’do të kishte më hatërmbetje.
“Si parti e kemi shprehur qëndrimin që për të qenë gjithçka më e qartë e më e lehtë duhet të kodifikohet kjo çështje me një ligj. Më vjen mirë që MD e ka proceduar në kuvend një projektligj që parasheh se zyrtarët e lartë që përballen me akuza të mos qëndrojnë në pozicionet e tyre deri në mbylljen e rasteve. Mendoj se është zgjidhje më e mirë që të mos jetë askush në pozicion të pafavorshëm qoftë individët apo institucionet që u përkasin”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka komentuar edhe deklaratën e të parit të PDK-së, Kadri Veseli, që kishte thënë se po të ishte ish-ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, anëtar i PDK-së, ai do të suspendohej menjëherë pas skandalit me dëbimin e shtetasve turq. Krasniqi ka thënë se ky nuk është rast i njëjtë me atë të Besim Beqajt.
“S’ka pas të bëjë me ngjarje të ngjashme me të cilën po flasim. Ka pas të bëjë me mosrespektim të hierarkisë institucionale. Ka pas efekt në vend e në raportet ndërkombëtare. Deklarimi ka adresuar rast specifik që duhet lexuar si mosrespektim i hierarkisë institucionale”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi: S’mund të mbetemi peng i Listës Serbe, ushtria të bëhet me ligj
23:37 - Memli Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se koalicioni qeverisës nuk mund të mbesë përherë peng i Listës Serbe sa i përket ndryshimit kushtetues për transformimin e FSK-së në ushtri.
Ai ka thënë se si opsion i fundit mbetet ndryshimi përmes ligjit, ndërsa ka thënë se duhet të binden edhe ndërkombëtarët se ndryshimi kushtetues është i pamundshëm duke parë rezistencën e Listës Serbe.
“Sinqerisht besoj që të gjithë pajtohemi që s’mund të mbetemi peng i deputetëve të Listës Serbe që me shumicë varen nga Beogradi zyrtar. Pamë edhe sot qëndrime të Serbisë kundër Ushtrisë së Kosovës. Por nëse mbesin peng i këtij qëndrimi të një shteti që mundohet të na pengojë në çdo hap, ne si opsion alternativ të fundit e shohim me ndryshim përmes ligjit. Normalisht idealja do të ishte ndryshim kushtetues, por nëse s’bëhet tash duhet të marrim veprime, qoftë edhe përmes një projektligji që mundëson transformimin e më pas në ndonjë realitet efektiv të bëhet ndryshim tjetër”, ka thënë Krasniqi në Interaktiv të KTV-së.
Krasniqi thotë se qeveria s’po i do vetëm votat e koalicionit për çështjet e mëdha
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria nuk po i do vetëm votat minimale të koalicionit qeverisës për të kaluar çështjet e mëdha.
Sipas tij, koalicioni qeverisës po dëshiron të ketë konsensus të gjerë politik sa i përket dialogut me Serbinë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, transformimin e FSK-së në FAK e për çështjet tjera që lidhen me integrimin evropian dhe reformën zgjedhore. Këto pika janë propozuar edhe në platformën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, drejtuar liderëve të partive tjera.
Krasniqi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se platforma e Veselit lidhet me platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë.
“Platforma e qeverisë mund të kalojë dhe të marrë votat e koalicionit. Nuk është qëllimi që të kalojë vetëm me votat e koalicionit, por është e ndërlidhur me platformën e Veselit që të kemi dakordim dhe gjithëpërfshirje pavarësisht modaliteteve që mund të kemi. Do të doja që jo krejtësisht ngjashëm me të kaluarën, kur LDK-ja e AAK-ja në opozitë e mbështesnin edhe formalisht dialogun, por edhe përmes një forme formale të pjesëmarrjes. Do të thotë që s’është qëllimi që platformën që e kanë miratuar në qeveri, Kuvendi ta vulosë me votë formale të shumicës”, ka thënë ai.
Sa i përket platformës së qeverisë, në të cilën autorizohet presidenti Hashim Thaçi për negociatat me Serbinë, Krasniqi ka thënë se si PDK e mbështesin këtë pikë. Ka ftuar për bisedë opozitën, ndërsa LDK-së, që tash po e kundërshton Thaçin për negociator, ia ka kujtuar votat për zgjedhjen e tij president.
“Për këtë duhet të bisedojmë, përkundër asaj që ne e mbështesim. Kushtetuta e Kosovës e përcakton që bartës i politikës së jashtme është presidenti dhe shpreh unitetin e qytetarëve të Kosovës. Thaçi është zgjedhur edhe me vota të LDK-së. Duhet ta kuptojmë rregullimin ligjor. Sot është Thaçi president, pastaj mund të jetë tjetërkush. S’duhet ta lidhim individualisht”, është shprehur Krasniqi duke shtuar se kjo platformë ka përkrahje edhe të ndërkombëtarëve.
Sa i përket pikës së Asociacionit, Krasniqi ka thënë se PDK-ja nuk dëshiron që ky asociacion të dalë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Qëndrimi ynë është se statuti duhet të jetë brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të jetë asociacion që u jep hapësirë veprimi komunave, por jo që rrezikon funksionimin e shtetit”, ka thënë Krasniqi.