Arbëri

Krasniqi pas vrasjeve: Shteti duhet të zgjohet

Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së

Foto: Arkiv

Foto: Alban Bujari

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se institucionet e shtetit duhet të veprojnë me urgjencë pasi katër persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në tri raste të ndara në Vushtrri e Prishtinë.

Në Vushtrri të dielën u vra një 19-vjeçar. E një ditë më pas një burrë dyshohet se vrau një grua dhe më pas veten. Në rastin e të martës, në Prishtinë, nga dy të maskuar u vra një person në një lokal.

Pas këtyre ngjarjeve të rënda, Krasniqi ka thënë se Kosovën e ka kapluar pasiguria.

“Një ndjenjë frike dhe pasigurie ka zënë rrënjë në shoqëri, duke e bërë jetën e qytetarëve të rënduar nga ankthi dhe droja për të nesërmen. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment, në rrugë, në shtëpi apo në vendin e punës. Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet. Institucionet duhet të veprojnë me urgjencë. Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje”, ka shkruar ai në Facebook.

PDK-ja është zotuar se në legjislaturën e re do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal për ashpërsim të dënimeve për armëmbajtje pa leje.

“Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave!”, ka shkruar ai.

Haradinaj: Kriminelët po trimërohen nga amnistimi i sjelljeve kriminale të shefit të shtetit

1 j. më parë / 26 mar 2025 14:43
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se dora e shtetit duhet të ndihet në sigurimin e rendit dhe qetësisë, derisa foli vrasjet që ndodhën në Kosovë ditëve të fundit.

Ai ka shkruar në Facebook se niveli i vrasjeve së fundmi është shqetësues, duke theksuar se kjo sjellje “është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori”.

Haradinaj ka folur për “kriminelët që po trimërohen nga amnistimi i sjelljeve kriminale të shefit të shtetit”.

“Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i ‘trimëruar’ kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit”, ka thënë kreu i AAK-së.

Sipas Haradinajt, siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet parësor, derisa tha se “shembulli duhet të vijë nga ata që i kanë institucionet në duar”.