Arbëri

Krasniqi: Pak shfrytëzohet polica e sigurimit për bashkatdhetarët

Organizata Germin

Lirim Krasniqi, kryetar i organizatës “Germin”, ka deklaruar se nëpërmjet sigurimit falas të policave për mërgimtarët, do të jetë më i lehtë menaxhimi i situatës dhe s’pritet të ketë shumë tollovi në kufi.

Ai ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se vitet e kaluara kur polica rimbursohej ishte procedurë e zorshme dhe e ngadalshme, e sivjet sipas tij, gjithçka do të jetë më e lehtë.

“Procedura do të jetë më e lehtë dhe do të lehtësojë qarkullimin në kufi, për të mos shkaktuar vonesa. Dikur ishte procedurë e komplikuar dhe janë shkaktuar humbje për bashkatdhetarët dhe për shtetin. Një polic dikur ishte rreth 13 deri në 20 euro për muaj. Kur ka qenë polica e rregulluar me rimbursim ka pasur raste kur qytetarët e kanë raportuar, por rimbursimi s’ka ndodhur. Edhe pse këto polica paguhen, shumë pak shfrytëzohen. Më pak se 20 për qind e bashkatdhetarëve janë rimbursuar. Kjo polic përtej aspektit financiar nuk është aq e vlefshme për shfrytëzuesit”, është shprehur Krasniqi.

Kreu i organizatës “Germin” ka shtuar se edhe sivjet pritet të vijë në Kosovë numër i madh i mërgimtarëve, duke theksuar se ndikimi i tyre në ekonominë vendore është me shumë rëndësi.

Krasniqi ka theksuar se problemi kryesor për bashkatdhetarët është mësimi i gjuhës shqipe. Sipas tij, mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është aktraktiv.

“Problemi më i madh është mësimi i gjuhës shqipe. Kjo problematikë mbetet e pazgjidhur, e shohim në këtë drejtim një qasje jovizionare. Akoma dërgojmë libra në diasporë, e në shekullin që jetojmë kjo s’është aktraktive. Vijueshmëria e fëmijëve në diasporë për lëndën shqipe është nën 5 për qind. Ofrimi i gjuhës shqipe është joatraktiv”, ka shtuar ai.