Arbëri

Krasniqi: Njerëzit që e kanë ofenduar Grenellin kanë bërë tradhti ndaj Kosovës

Florin Krasniqi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje

Florin Krasniqi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, e quan tragjike që emisari për misione të posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, të ofendohet nga politikanët në Kosovë.

Ai ka thënë se këtë e kanë bërë kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Me guxu me ofendu ashtu siç e kanë ofenduar Kurti me partinë e tij, është tragjike. Nuk duhet me qenë i mençur dhe as politikan të kuptohet se njerëzit që e kanë ofenduar Grenellin kanë bërë tradhti ndaj shtetit të Kosovës”, ka thënë ai në “Zgjedhjet në KOHË”.


Krasniqi: Amerika i ka shpenzuar 74 miliardë dollarë para dhe gjatë luftës në Kosovë

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe tashmë afaristi që vepron në Amerikë, Florin Krasniqi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë miliarda në çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës, prandaj ka bërë thirrje për kujdes se si trajtohen zyrtarët amerikanë në Kosovë, duke iu referuar deklaratave të fundit të akterë të Qeverisë së Kosovës dhe përgjigjes së emisarit për Misione të Posaçme nën administratën Trump, Richard Grenell.

Grenelli të hënën (dje) në një postim në “X” ndër të tjera ka thënë se ndërkombëtarët janë të bashkuar kundër kryeministrit Albin Kurti  për shkak të veprime të tij të njëanshme.

“Nuk munden me u kthy te parimorja (i referohet SHBA-së), nuk është organizatë fetare, është shteti më i fuqishëm në botë, e mban kontrollin mbi gjithë botën dhe Richard Grenell është një njeri shumë i rëndësishëm i kësaj politikbërjeje”, deklaroi Krasniqi në KTV.

Ai rikujtoi rolin vendimtar të SHBA-së në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke theksuar ndihmën e madhe financiare që ka dhënë Amerika për Kosovën.

“Shteti i Kosovës është rezultat i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes amerikane. Amerika ka shpenzuar 56 miliardë dollarë për të çliruar Kosovën dhe 18 miliardë të tjera pas luftës. Nuk na ka pasur borxh, as obligim”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket kritikave ndaj Grenellit, ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të shprehë pakënaqësitë, por duhet të ketë kujdes në mënyrën se si i trajton raportet me zyrtarët amerikanë.

“Pa marrë parasysh a është Grenelli parimor apo jo, a e ka mirë apo jo, Qeveria e Kosovës mund të shprehë kritikat ndaj tij, por jo deri në atë masë që ai publikisht të dalë dhe të thotë se Kurti po gënjen. Është shumë e rrallë që një zyrtar i administratës amerikane të thotë se një kryeministër po gënjen”, përfundoi Krasniqi.