Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe për hapat e ardhshëm pas caktimit të datës së konstituimit të Kuvendit nga presidentja e Kosovës më 15 prill.
Në një njoftim për media pas mbledhjes thuhet se kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka informuar anëtarët e Kryesisë për komunikimet e fundit me partitë parlamentare, me përjashtim të partive në pushtet (VV, Guxo dhe Alternativa). Ai thuhet se ka theksuar se nëse partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk arrin ta formojë shumicën e nevojshme, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në formimin e Qeverisë së re, me Bedri Hamzën në krye të ekzekutivit.
Tutje në njoftim thuhet se në këtë proces, PDK-ja do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe parimet demokratike, siç thuhet, pa ndërmarrë asnjë veprim bllokues apo përpjekje që do të cenonte funksionimin institucional në seancën konstituive.
"Ne kemi objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, si dhe avancimin e procesit të integrimit euroatlantik. PDK-ja ka kapacitetin dhe vizionin për ta çuar Kosovën përpara", citohet të ketë thënë Krasniqi.
Hamza thuhet se ka ritheksoi përkushtimin e tij për të jetësuar vizionin për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.
Në përfundim të mbledhjes, thuhet se PDK-ja shprehu qëndrimin se vendi duhet të ketë sa më parë institucionet e reja, në mënyrë që të adresohen çështjet kyçe për qytetarët dhe të ecet përpara në përmbushjen e prioriteteve shtetërore.