Redaktori i gazetës KOHA, Besnik Krasniqi, ka thënë se nëse digjen mandatet, digjen për të gjithë – jo vetëm për ata që votuan kundër, duke reaguar ndaj deklarimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për mundësinë e zëvendësimit të deputetëve që votuan kundër raportit për verifikimin e mandateve në seancën e 15 prillit.
Sipas tij, raporti në fjalë përfshin të gjithë deputetët e zgjedhur dhe, nëse konsiderohet se janë djegur mandatet, atëherë kjo duhet të vlejë për të gjithë 120 deputetët e legjislaturës së re, e jo vetëm për ata që votuan kundër.
“Raporti flet për të gjithë deputetët. Nëse u digjen mandatet, nuk u digjen vetëm atyre që kanë votuar kundër, por 120 deputetëve që janë zgjedhur në këtë legjislaturë. Nuk ka logjikë që të digjen vetëm mandatet e deputetëve që votuan kundër raportit”, theksoi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, problemi është se deputetët po e luajnë rolin e arbitrit.
“Problemi është se ligjvënësit po e luajnë rolin e arbitrit që nuk po i besojnë një institucioni si KQZ-ja që ka ceritifikuar këta deputetë”, ka shtuar ai.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, më herët paralajmëroi se e vetmja rrugë për t’i ikur zgjedhjeve është që të zëvendësohen deputetët të cilët nuk e votuan raportin për verifikimin e mandateve në seancën e 15 prillit.
