Arbëri

Krasniqi në Konventën e Gruas të PDK-së: Besoj fuqishëm në barazi gjinore

Partia Demokratike e Kosovës mbajti të shtunën Konventën Programore të Gruas, ku në panel u diskutua me temën “Bashkë! 50/50”. Në këtë panel, i cili u moderua nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, morën pjesë pesë anëtare të strukturave të Rinisë Demokratike të Kosovës, Jona Arifi, Arbnora Salihu, Aurora Nura, Vlera Tahiri dhe Dhurata Muharremi.

Krasniqi ka thënë se si kryetar i PDK-së beson fuqishëm në idealin për barazi gjinore.

“Unë vërtetë besoj fuqishëm dhe e kam të përbrendësuar idealin dhe aspiratën për barazi gjinore dhe për përfaqësim të barabartë gjinor edhe në instancat institucionale dhe padyshim në politikë”, tha Krasniqi.

Arbnora Salihu, asambliste e PDK-së në Ferizaj, tha se prioritet i saj është fuqizimi i grave dhe të rinjve.

“Tri prioritetet e mia kryesore janë fuqizimi i të rinjve dhe krijimi i një hapësire për vendimmarrje, avancimi dhe promovimi i gruas në politikë në biznes dhe në përgjithësi në shoqëri, por edhe planifikimi dhe buxhetimi i barabartë gjinor”, tha ajo.