Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë.
Në konferencën për media nga fshati Soçanicë e Leposaviqit, Krasniqi ka thënë se Lista Serbe, e cila ka bërë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor të së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore, i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë ai.
Derisa u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj zone që të marrin pjesë në votim, Krasniqi ka njoftuar se procesi deri tani po shkon në rregull.
“Unë sot fillova t’i vizitoj disa prej hapësirave ku po organizohet votimi i pyetjes se a do të duhet të largohet kryetari i komunës nga funksioni ose jo, një proces i filluar vitin e kaluar në gusht kur filluam si ministri që të hapim mundësinë që qytetarët të deklarohen rreth pakënaqësisë së tyre për kryetarët në funksion. Udhëzimi administrativ e ka hapur mundësinë që përmes peticionit të parashtrohet me 20 për qind të votuesve të një qyteti ku ata e kanë iniciuar këtë peticion. Sot është hapur gjithçka në rregull dhe po shohim si po shkon procesi. Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin që të mundësojë që qytetarët që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ta bëjnë me të drejtën që u garantohet përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, pjesa tjetër i mbetet qytetarëve”, është shprehur ai.
Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se Lista Serbe dhe Beogradi kanë dhënë urdhër për bojkotim jo sepse nuk duan zgjedhje, por sepse nuk duan të përballen me dështimin eventual të tyre.
“Por, për institucionet e vendit më e rëndësishme se kjo është obligimi që kemi marrë për të krijuar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin në mënyrë demokratike vullnetin e tyre duke përmbushur kështu edhe një zotim të dhënë edhe karshi qytetarëve edhe faktorit ndërkombëtar për krijimin e rrethanave për zgjedhje të reja atje. Është në duar të qytetarëve atje që të shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërkohë që është rendi që secila masë e padrejtë mbi Kosovën të hiqet përfundimisht”, ka shtuar ai.
Nga votuesit e paktë aty ka qenë edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.
