Arbëri

Krasniqi: Jo një miliard, po edhe 100 miliardë me qenë, s'bën me bë këso kompromise

Gazetari Besnik Krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se edhe po të ishin 100 miliardë euro humbjet që Kosova do t’i pësonte nga masat e Bashkimit Evropian, nuk duhet të bëjë kompromise që po i kërkohen nga BE-ja. 

Sipas tij, është e palogjikshme që Kosovës t’i kërkohet të mos ndërmarrë aksione ndaj kriminelëve në veri pa u koordinuar me ndërkombëtarët. 

“Ka një qasje të përçudshme të Bashkimit Evropian, veçmas të njerëzve përgjegjës për dialogun në Bruksel. Ka sanksione pse po i vendos kryetarët në zyra, cila botë demokratike e bën këtë? Thotë mos gabo ta lëshosh urën për qarkullim, mos gabo ta heqësh murin që e ka vendosur kompania e Radoiçiqit, na thonë koordinohuni mos shkoni të ndërmerrni aksione ndaj kriminelëve në veri pa u koordinuar me ne. Cila është logjika e këtyre kushteve? Nuk është punë një-miliardëshi, edhe 100 miliardë po të jenë, nuk duhet bërë këso kompromise”, ka thënë Krasniqi.


Gërgi: Ka një lloj racizmi në mesin e vendeve anëtare të BE-së ndaj Kosovës

Hulumtuesi për integrime evropiane dhe dialog në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Besar Gërgi, ka thënë se ka një lloj racizmi në mesin e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian (BE), ndaj Kosovës.

“Ka një lloj racizmi në mes të vendimmarrësve aty në Bruksel ndaj Kosovës, nuk e shohin si shtet të plotë e shohin si të mangët, është një lloj përshtypje ndaj shqiptarëve”, është shprehur Gërgi në "Konfront" të KTV-së .

Sipas tij kjo do të ndryshojë me emërimin e personave tyë tjerë në postet kryesore në BE, pas mbajtjes së zgjedhjeve të fundit. 

“Dje është bërë dakordimi për pozitat kryesore në BE dhe përfaqësuesja e lartë do të jetë kryeministrja e tanishme estoneze Kaja Kallas, e cila ka pasur shumë takime me lidershipin e Kosovës, është shumë pro pavarësisë së Kosovës dhe normal që do të ndërrojë kjo qasje”, është shprehur Gërgi. 

Sipas tij në këtë pozitës që është tani Kosova ka ndikuar lobimi, siç ka thënë, agresiv i Serbisë në Bruksel. “Shpenzojnë miliona euro në Bruksel për të ndikuar vendimmarrësit atje”, ka theksuar Gërgi.

  


Palokaj: Kurti konsistent, por e vështirë të  sqarohet se si nuk pati takim trepalësh

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është konsistent në qëndrimin e tij për të zbatuar marrëveshjen me Serbinë, por sipas tij, është e vështirë të sqarohet s’i nuk u arrit një takim trepalësh.

Ai ka thënë në “Konfront” të KTV-së se Kurti ndien “se Serbia do të tërhiqet nga marrëveshja”.

“Ai nuk sheh rrugë tjetër të normalizimit përpos nënshkrimit, po tregon konsistencë. E BE-ja në anën tjetër po e sheh se e ka vënë në dyshim Marrëveshjen duke tentuar të gjejë zgjidhje mes mosnënshkrimit të Serbisë dhe gatishmërisë për nënshkrim. Vështirë të sqarohet se nuk pati takim trepalësh”, ka thënë Palokaj.


Demaku: Paradoksale, Kurti vë kushte për takim me Vuçiqin e Bislimi javën tjetër takon Petkoviqin

Opinionistja e emisionit “Konfront”, Dafina Demaku, ka thënë se është paradoksale, që kryeministri Albin Kurti të refuzojë takimin me presidentin e Serbisë, duke i vendosur kushte, ndërkohë që është paralajmëruar një takim i kryenegociatorit Besnik Bislimi me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

“Është thellim i paradoksit. Të gjithëve po na pëlqejnë kushtet e Kurtit për takim me Vuçiqin. Por është paradoksale që ai refuzon takimin, ndërkohë javën tjetër Bislimi do të takojë Petkoviqin javën e ardhshme”, ka thënë Demaku.


Sopi: Takimi i sotëm ishte për të mos bërë asgjë, i gjithë procesi është mashtrim

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Agim Sopi, e ka quajtur “mashtrim” procesin e dialogut në dy vjetët e fundit në Bruksel, duke thënë se ndërmjetësuesit evropianë “i imponuan marrëveshjet e tyre”.

Ai ka thënë se takimi i së mërkurës në dialog mes Kosovës dhe Serbisë ishte rikapitullim i një periudhe shterpe.

“Dialogu kaherë, pas 24 shtatorit ka qenë i vdekur, e vdekja duhej t’i shpallej, meqë këta ndërmjetës që i impuan marrëveshjet e tyre, deshën të përmbyllnin dhe u menduan për një karotë me të cilën do t’i mashtronin e t’i ndillnin palët që të uleshin në tavolinë”, është shprehur Sopi.

Sopi ka theksuar tutje se ndërkombëtarët “me intencën që të shkojnë të bëjnë diçka e për të mos bërë asgjë” hapën një dritare që “t’i vjelin fondet e BE-së”.

“Ka qenë edhe nga pala e ndërmjetësuesve mashtrim, ky proces ka qenë mashtrim i krijuar që në ditën e parë”, shtoi ai.


Krasniqi: Çfarëdo vendimi për zbatim të Asociacionit e kthen Kurtin në "kufomë politike"

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se çfarëdo vendimi për zbatim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe do ta kthente kryeministrin Albin Kurti në “kufomë politike”.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se e gjithë historia e dekadës së fundit lidhet me aktivizmin e Kurtit kundër krijimit të këtij mekanizmi. 

“Çfarëdo përcaktimi i kryeministrit Albin Kurti për ta zbatuar asociacionin e kthen atë në “kufomë politike”, nisur nga fakti që i gjithë bagazhi apo historia e dekadës së fundit lidhet me aktivizmin e pashoq kundër krijimit të këtij mekanizmi. Ajo çfarë po bën që nga viti i kaluar kur e ka pranuar se do ta zbatojë marrëveshjen është në atë formën ngrehe mos e këput”, ka thënë ai. 

Krasniqi ka shtuar se nëse Kurti arrin që nëpërmjet kushtit të vendosur sot, arrin që t’i realizojë kërkesat, do të ishte mrekulli në vete. 

“Nëse kryeministri arrin që nëpërmjet këtij kushti, marrëveshjet të formalizohen, Serbia të tërhiqet nga deklarata me shkrim që nuk e zbaton pikën e marrëveshjes që ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës, po e zëmë në OKB, dhe nëse mbërrijmë ta sjellim Radoiçiqin dhe të gjithë grupin kriminal përgjegjës për rastin e Banjskës, kjo do të ishte mrekulli në vetvete. Por. Unë mendoj që pavarësisht se është momentum i ri, z.Kurti do të duhej t’ia shoqëronte këtij kushti, të mos e kufizonte vetëm tek vetja ose tek niveli i lartë i dialogut, por le të ngrihet i tërë procesi dhe pa u përmbushur këto kushte as në nivel kryenegociatorësh të mos realizohen takimet”, është shprehur ai.