Arbëri

Krasniqi ishte aksidentuar në punë, tejkaloi lëndimin e u bë Inspektor i Sigurisë në “Kosova B”

Një lëndim në vendin e punës, Selatin Krasniqin nuk e kishte demoralizuar por vetëm e kishte shtyrë përpara.

Krasniqi, në vitin 2004 kur ishte lënduar, ishte drejtues ekipi në mirëmbajtjen elektrike në Termocentralin Kosova B, raporton KTV.

Kjo ngjarje, por edhe lëndime e vdekjet në vendin e punës, e kishin shtyrë drejt shkollimit në këtë fushën e Sigurisë në punë, ku ka përfunduar nivelin e dytë në menaxhimin e emergjencave.

Dhe, prej se është emëruar në pozitën e Inspektorit të Sigurisë, ai pohon të mos ketë ndodhur asnjë lëndim.

Krasniqi thekson edhe rëndësinë që ka Qendra e trajnimit në kuadër të KEK-ut, për rritjen e nivelit të sigurisë, në veçanti analizimin dhe vlerësimin e rreziqeve potenciale.

Sipas të dhënave të Sindikatës, në KEK, që nga paslufta, kanë vdekur 43 punëtorë.

Por, në përgjithësi, vitet e fundit kanë qenë tragjike për punëtorët në Kosovë.

Shumë viktima janë shënuar në vendet e punës, e më të rrezikuarit vazhdojnë të jenë punëtorët e ndërtimtarisë.

Sipas një raporti të KDI-së, në 5 vjetët e fundit, në vend të punës kanë vdekur 99 persona, derisa vetëm në 2018, jetën e kanë humbur 20 punëtorë.