Seanca e Këshillit të Etikës është duke vazhduar me seancën e pestë, ku për herë të dytë është ftuar në dëshmi profesori Xhevat Krasniqi.
Seanca dëgjimore është e hapur, mirëpo ndalohet incizimi.
Xhevat Krasniqi ka thënë se studentet e kanë bërë denoncimin për shkak të dështimit për të kaluar provimin.
Ai ka thënë se "të gjitha shprehjet në ankesë janë shpifje".
“Të gjitha shprehjet komplimentuese janë shpifje”, ka thënë ai.
Profesori thotë se një nga studentet denoncuese e ka kërcënuar me fjalët “hajt se ki me pa ti, as veten tënde s’ki me njoftë”.
Profesori Krasniqi ka deklaruar se studentet kopjojnë në provime duke shkruar përmbajtjen e ligjëratave në trupin e tyre.
“Krejt këmbët i shkruajnë gjatë verës me fustan për të kopjuar, e unë nuk flas për këtë. Shkoj e i këqyri e më thonë ‘pse po më këqyr’. Unë i pyes çka ki aty dhe jo çka ki nën fustan”, ka thënë ai.
Pas përfundimit të dëshmisë së Krasniqit, studentë aktivistë kanë bllokuar daljen e Krasniqit dhe të anëtareve të Këshillit të Etikës nga salla ku është dhënë dëshmia.
Pas kësaj është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës, në mënyrë që atyre t’u mundësohet dalja.