Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ndryshojë propozimin për kryetar të Parlamentit.
Ai e ka cilësuar Haxhiun si simbol të dështimit të Qeverisë së shkuar, andaj sipas tij, nuk duhet që të imponohet emri i saj, por të propozohet një nga 47 deputetët tjerë.
“Koalicioni LVV-GUXO-Alternativa e ka të drejtën ta propozojë kryetarin, por jo ta imponojë, sepse nuk mundet që me çdo kusht të vendosë për këdo që e propozon. Sot përsëri po e shihni që po e vazhdojnë bllokadën e krijimit të institucioneve. Në vend se të kërkonin një kandidat apo kandidate tjetër, kandidatja që ka dështuar disa herë radhazi, dështoi edhe sot e besoj edhe pasnesër, nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa krijimi i institucioneve. Andaj rrugëdalja është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta zgjedhë një kandidat tjetër dhe mos ta lënë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për çfarëdo teke. Kandidatja Haxhiu nuk do ta këtë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Deharit, e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, ka thënë ai pas dështimit të seancës për konstituim të Kuvendit.
Krasniqi ka shtuar se nëse nuk arrihet të votohet propozimi për kryeparlamentar, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Ai tutje ka thënë se në asnjë formë, PDK-ja nuk do të bëjë marrëveshje me LVV-në.
VIDEO:
