Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar historik rezultatin e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
PDK-ja doli e dyta me 20.95 për qind, apo 196 mijë e 474 vota. E para doli Lëvizja Vetëvendosje me mbi 42 për qind.
PDK-ja përjetoi rritje prej rreth 50 mijë votash.
“Faleminderit! Kjo është fjala e parë dhe më e sinqertë që e ndjej t’ua them pas përfundimit të numërimit të votave. Faleminderit për besimin e rreth 200 mijë qytetarëve që na mbështetën në zgjedhjet e 9 shkurtit. Garuam me kandidatin, vizionin dhe listën më të mirë për Kosovën. Prezantuam projektin më të duhur për zhvillimin e vendit. Dhe u rritëm – me 50 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit, një rezultat historik për partinë tonë”, ka shkruar ai në Facebook pasi KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja nuk e ka mbërritur maksimumin e saj.
“Tani nis akti tjetër – ku me të njëjtën energji dhe përkushtim, ecim përpara! Pas fitores sonë në zgjedhjet lokale, ky është një tjetër hap drejt rikthimit të madh”, ka shtuar ai.
Krasniqi në fund ka deklaruar se Kosova ka nevojë për qartësi, stabilitet dhe zhvillim. Ai ka thënë se e nevojshme është një qeveri e përgjegjshme sa më shpejt “sepse ka nevojë për shpresë dhe besim”.
“Ka nevojë për miq, partnerë dhe aleatë – sepse asnjëherë, e veçanërisht sot, koha nuk pret për ata që hezitojnë. Prandaj, çdo parti që ka marrë votën e qytetarëve duhet ta përkthejë atë në veprim, duke e vënë në shërbim të interesit qytetar”, ka thënë ai.