Arbëri

Krasniqi: Absurde të akuzohem për persekutim të anëtarëve të LDK-së, kur vetë isha anëtar i saj

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se ndihet i njollosur me aktakuzën e Gjykatës Speciale për krime lufte. Ai e ka cilësuar absurde akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ka thënë se vetë ka qenë pjesë e kësaj partie, raporton redaktori i KOHËS nga Haga, Driton Mehmeti. Fjalimi i Krasniqit transmetohet me 45 minuta vonesë. 

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie”, ka thënë ai duke përmendur vëllain e mbesën si anëtarë të LDK-së edhe pas luftës.

Krasniqi ka deklaruar se ka qenë rol i tij si zëdhënës i UÇK-së që ta paraqesë si strukturë të mirorganizuar, por “kjo duhet parë si propagandë e asaj kohe”.

“Më ka lënduar aktakuza e ZPS-së, më shumë sesa burgjet e torturat nga Serbia”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka pasur tri lutje në fjalimin e tij për Prokurorinë. Ka bërë thirrje që të “mos lejohen të përdoren mendimet e pasluftës për kohën e luftës”, që “shënimet e librit të mos keqpërdoren si dëshmi” e që “komunikatat e UÇK-së janë dëshmuar se kanë qenë si propagandë në rastin e gjykimit të Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt”.


Krasniqi përmend sulmin në kafenenë “Panda” dhe tentimet që t’i atribuohej UÇK-së

Jakup Krasniqi ka përmendur edhe sulmin e 14 dhjetorit në kafenenë “Panda” në Pejë. Ai ka thënë se vetë zëvendëskryeministri i atëhershëm i Jugosllavisë, Vuk Drashkoviq, në vitin 2014 e kishte pranuar për gazetën serbe “Kurir”, se “Millosheviqi kishte vendosur që shërbimi i sigurimit shtetëror do të kryente disa sulme terroriste për të cilat do të fajësohej UÇK-ja”.

“Më 14 dhjetor të vitit 1998, 42 ushtarë të UÇK-së u vranë afër kufirit me Shqipërinë, e në atë mbrëmje në kafenenë ‘Panda’ në Pejë u vranë 6 të rinj serbë e malazias, e vrasjet e tyre u interpretuan si akt hakmarrje nga UÇK-ja. Gjatë përpjekjeve për të gjetur fajtorë, qindra shqiptarë të pafajshëm u torturuan derisa u detyruan 6 të rinj ta pranonin se e kanë kryer krimin. E vërteta doli në shesh pas 15 vjetëve, kur Vuk Drashkoviq, që gjatë luftës ishte zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, për gazetën serbe ‘Kurir’ më 18 janar të vitit 2014, tha se vendimi për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështesnin Serbinë dhe fajësonin UÇK-në, ishte sjellë nga Millosheviqi e shtabi i tij strategjik. Ishte vendosur që shërbimi i sigurimit shtetëror do të kryente disa sulme terroriste për të cilat UÇK-ja do të fajësohej. Radeten dhe Legijan i autorizuan për të vrarë fëmijë, serbë, jo vetëm serbë por edhe shqiptarë”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se kjo është dëshmi se “prapa vrasjeve të secilës përkatësi etknike në Kosovë qëndron regjimi i Beogradit”.