Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se 9 shkurti që u caktua si datë e zgjedhjeve do të shënojë “ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.
Duke komentuar vendimin e presidentes për këtë datë si datë të zgjedhjeve të rregullta, Krasniqi e ka cilësuar të panevojshme “shtyrjen” deri më 9 shkurt.
“Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit rë ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit. Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”, ka shkruar ai në Facebook. “Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”.
2025-ta do të jetë vit i rregullt zgjedhor. Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të jetë e para që nga shpallja e pavarësisë që do ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar. Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.