Arbëri

Kraja: “Ballkani i Hapur” dëmtoi marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

Akademia e Shkencave dhe Arteve ka organizuar konferencën shkencore: “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, në të cilën është konstatuar se ka edhe lëndim raportesh politike mes të dyja shteteve. Kryeakademiku Mehmet Kraja gjykoi se dëmi substancial është krijuar pas nismës “Ballkani i Hapur” dhe theksoi se është naivitet politik të besohet se marrëdhëniet Tiranë-Beograd mund të zhvillohen në harmoni të përsosur, duke prekur interesat e Kosovës

Nisma rajonale “Ballkani i Hapur” sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka dëmtuar substancialisht marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri. Në konferencën shkencore ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, të organizuar nga ASHAK, Kraja ka thënë se kjo iniciativë i ndihmoi Serbisë që të anashkalonte Kosovën në të gjitha marrëdhëniet rajonale.

Sipas tij, politika është pengesë që u fut shkopinjtë nën rrotë integrimeve shqiptare.

“Në këtë pikë mendoj se do të pajtoni të gjithë, se Shqipëria do të duhej të ishte promotori i këtyre integrimeve dhe këtij bashkëpunimi, por është duke ndodhur e kundërta. Shqipëria ndonjëherë më shumë agresivitet i jep vetës rol paternalist, ndonjëherë duke cenuar interesat vitale të Kosovës dhe herë të tjera duke margjinalizuar fuqinë vendimmarrëse të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ai.

Sipas tij, nismat si “Ballkani i Hapur” pavarësisht sa kanë qenë ekonomike ose politike-ekonomike, ato kanë qenë thellësisht politike dhe kanë dëmtuar substancialisht marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri”.

“Të besosh se Shqipëria mund të flasë në emër të Kosovës duke mos marrë parasysh interesat e saj, njësoj sikur të besosh se marrëdhëniet e Shqipërisë me disa fqinjë ballkanik dëmtohen për shkak të Kosovës, është naivitet politik. Është po ashtu naivitet politik të besosh se marrëdhëniet Tiranë-Beograd mund të zhvillohen në harmoni të përsosur, jo më duke anashkaluar Kosovën, por duke prekur në substancë interesat e saj. Ballkani i Hapur i ndihmoi Serbisë të anashkalonte dhe të margjilizonte Kosovën në të gjitha marrëdhëniet rajonale”, ka thënë Kraja.

E, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka theksuar se ka konkurrencë politike mes dy shteteve.

“Krahas nevojës dhe dëshirës që kanë vendet për të bashkëpunuar, në përfitime reciproke me leverdi, ka në mënyrë të pashmangshme edhe interesa nacionale dhe konkurrencë politike midis vendeve, ka tendenca kush përfiton më shumë nga ky hap integrimi. Midis nesh nuk duhet të ketë asnjë merak se kush përfiton më tepër dhe marrja e mendimit shkencor për çështjet e rëndësishme do t’ua zbuste edhe ndonjë prirje për protagonizëm”, ka thënë ai.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë theksuar se jo gjithmonë bashkëpunimi ka qenë intensiv dhe shtruan nevojën për thellim të këtij bashkëpunimi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka përmendur marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi Kosovë dhe Shqipëri, ndonëse natyrshëm do të duhej të ishte intensiv, jo gjithmonë ka qenë i tillë, por shpesh është shoqëruar me sfida të papritura, e të cilave zgjidhjet tradicionale jo gjithmonë u përshtaten”, ka thënë ajo.

Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes të dy vendeve.

“Në vrullin e ndryshimeve të mëdha që ka pësuar ekonomia botërore në vitet e fundit me theks në ndryshimet gjeopolitike, vendet tona të vogla nuk mund të paramendohet të vazhdojnë rrugëtimin pa bashkëpunim të thellë në gjitha fushat e jetës, përfshirë ekonominë me një qasje shumë disiplinore”, ka theksuar ai.

Konferenca është organizuar me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe informacioneve shkencore, si dhe të analizimit e bashkëpunimit të institucioneve të të dyja shteteve.