Arbëri

KQZ-ja s’ka buxhet për zgjedhje, pritet t’i drejtohet Qeverisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se është në pritje të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Në një përgjigje për Kohën, KQZ ka thënë se nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces zgjedhor. Prandaj, siç thonë ata, do të përgatisin me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellin për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve për në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”, thuhet tutje në përgjigje.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe ato të organizohen në afat prej 40 ditësh pas shpalljes së tyre.

Vendimi është publikuar të hënën mbrëma në faqen e Kushtetueses dhe ishte unanim. 

"Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre", thuhet në konstatimin e Kushtetueses.

Afati 40-ditësh, sipas nenit 95 të Kushtetutës, vlen për kohën nga shpallja e zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre.