Arbëri

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të rundit të dytë për 20 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar të komunave, për 20 komuna.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se kanë përfunduar të gjitha procedurat e parapara që KQZ-ja t’i shpallë rezultatet përfundimtare, me përjashtim të komunës së Dragashit.

“Gjatë ditës së sotme KQZ-ja ka pranuar informata nga QNR-ja që mund t’i shpallë rezultatet me përjashtim të Dragashit. KQZ-ja do të presë që palët të shterojnë të gjitha mundësitë në këtë rast”, ka thënë Radoniqi.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së premte ka vendosur që t’i anulojë votat e diasporës për komunën e Dragashit, pas ankesës së kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune se ato ishin të manipuluara.

PZAP-ja ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve.

PZAP-ja ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.

Kandidati i LDK-së për Dragashin, Bexhet Xheladini, ka thënë për KTV-në të premten se votat e mërgatës në këtë komunë janë të pastërta si loti.

Ai ka thënë se PZAP-ja duhet t’i thërrasë në telefon qytetarët në mërgatë nëse kanë votuar apo jo, dhe nëse dikush përgjigjet që nuk ka votuar, Xheladini ka thënë se do t’ia urojë fitoren kundërkandidatit të tij nga PDK-ja, Shaban Shabani.

Xheladini është shprehur i bindur se Gjykata Supreme do ta rrëzojë vendimi e PZAP-së, që anuloi të gjitha votat me postë në Dragash.

Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset dhe kësisoj, PDK-ja dhe LDK-ja kanë numër të barabartë të komunave të fituara, nga 8 sosh.

Ndërkohë, këta janë kryetarët e rinj të 20 komunave të balotazhit, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së:

Gjakovë - Ardian Gjini (AAK) me 55,97% të votave

Drenas - Ramiz Lladrovci (PDK) me 54,16% të votave

Gjilan - Alban Hyseni (LVV) me 51,10% të votave

Istog - Ilir Ferati (LDK) me 56.16% të votave

Kaçanik - Besim Ilazi (PDK) me 53,91% të votave

Klinë - Zenun Elezaj (AAK) me 55,16% të votave

Fushë-Kosovë - Burim Berisha (LDK) me 65,45% të votave

Kamenicë - Kadri Rahimaj (LVV) me 53.34% të votave

Obiliq - Xhafer Gashi (Iniciativa Qytetare për Obiliq) 63%

Rahovec - Smajl Latifi (AAK) me 65,19% të votave

Podujevë - Shpejtim Bulliqi (LVV) me 52.06% të votave

Prishtinë - Përparim Rama (LDK) me 50,98% të votave

Prizren - Shaqir Totaj (PDK) me 50.93% të votave

Shtime - Qemajl Aliu (LVV) me 50,67% të votave

Viti - Sokol Haliti (LDK) me 51.44% të votave

Vushtrri - Ferit Idrizi (PDK) me 53,19% të votave

Malishevë - Ekrem Kastrati (NISMA) me 53,10% të votave

Junik - Ruzhdi Shehu (LDK) me 53,80% të votave

Mamushë - Abdulhadi Krasniq (Kosova Demokratik Turk Partisi) me 63,19% të votave

Kllokot - Vladan Bogdanoviq (Lista Serbe) me 55,12% të votave