Arbëri

Votat me postë: VV-ja prin me mbi 51%

Pamje nga QNR ne Prishtine, salla 1 tetori, zgjedhjet 2025 (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Nga 187 kuti sa janë në total nga votat me postë, 89 prej tyre janë numëruar deri në pasditën e së dielës. Nga projeksionet e “Demokracisë në Veprim”, aktualisht Lëvizja Vetëvendosje është afër sigurimit të 49 mandateve e mund të shkojë edhe në 50 nëse fiton rreth 70 për qind të votave me postë

(Përditësuar: 20:00) - Deri të dielën në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 89 nga 187 kutitë e votave me postë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka përfunduar numërimi i votave me postë për disa komuna e në disa të tjera po vazhdon.

“Deri të dielën, më 2 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 89 nga 187 kuti të votimit që u takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, të dielën pasdite, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit që u takojnë komunave Prishtinë, Prizren, Podujevë, Pejë, Rahovec, Gjilan, Lipjan dhe Istog. Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara në faqen zyrtare të KQZ-së, nga votat me postë, LVV-ja prin me mbi 51 për qind, LDK-ja është e dyta me mbi 29 për qind, PDK-ja e treta me mbi 8 për qind dhe AAK-ja e katërta me mbi 4 për qind.

E hulumtuesi i lartë në rrjetin e organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim”, Eugen Cakolli, përmes një postimi ka shkruar për projeksionet lidhur me mandatet e mundshme në Kuvend, duke u bazuar në rezultatet e deritashme.

“LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar. LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur. Me një trend të tillë, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate. Nëse LDK rritet edhe më shumë, kjo mund të ndikojë në gjasat e LVV-së për të siguruar 49 mandate. PDK është në zonë kritike midis 23, 24 dhe 25 mandateve. Aktualisht është në 24 mandate, por afër ta humbë një. E madje, nëse LVV shkon drejt 50 mandateve, PDK mund të humbasë edhe një mandat tjetër. Për t’i pasur 25 mandate, PDK-ja duhet t’i ketë mbi 13% të votave me postë – që është gati dyfishi i përqindjes që ka tash”, ka shkruar Cakolli.

Për numërim janë mbi 63 mijë vota të dërguara me postë.

Numërimi i votave të hedhura nëpër përfaqësi diplomatike ka përfunduar para pak ditësh, teksa për numërim kanë mbetur votat e dërguara me postë, pastaj ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Javën e kaluar, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do të publikohen më së largu më 5 mars.


Numërohen 89 kuti nga votat me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë numëruar 89 nga 187 kuti të votimit të fletëvotimeve me postë.

Sipas KQZ-së, numërimi i votave nga diaspora po vazhdon, derisa aktualisht po numërohen votat nga Prishtina, Prizreni, Podujeva, Peja, Rahoveci, Gjilani, Lipjani dhe Istogu.

“Aktualisht, të dielën pasdite, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit që u takojnë komunave Prishtinë, Prizren, Podujevë, Pejë, Rahovec, Gjilan, Lipjan dhe Istog. Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Komisioni njoftoi se numri i pakove të supozuara me fletëvotime dhe të aprovuara nga KQZ-ja është mbi 63.000


KQZ-ja publikon shifrat e reja të numërimit të votave me postë

Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet pas procesimit të 35.64 për qind të vendvotimeve nga votimi me postë. 

Janë procesuar 67 prej 188 vendvotimeve.

Lëvizja Vetëvendosje ka rritur epërsinë në 52.14 për qind në këto vota apo 10 mijë e 744 vota, karshi 28.40 për qind sa i ka LDK-ja apo 5853 vota. PDK-ja është e treta me 7.94 për qind. 

LVV-ja ka pasur trend edhe më të lartë në votimin në përfaqësitë diplomatike, me mbi 80 për qind të votave. E në votimet në vendvotimet në Kosovë, VV-ja ka marrë 40.9 për qind.

Me postë kanë votuar rreth 60 mijë qytetarë. Pas kësaj do të numërohen edhe mbi 15 mijë votat me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.