Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar rreth 5 mijë pako të ardhura nga jashtë nga 69 mijë sosh sa ka verifikuar. Zyrtarët e KQZ-së aktualisht janë duke punuar në skanimin e listave të votuesve për t`i krahasuar ato me votat që kanë pranuar me kusht, derisa deri në mes javë ky institucion synon që të nisë me numërimin e votave që janë hedhur në përfaqësitë diplomatike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon që rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e 9 shkurtit t`i shpallë më së largu më 5 mars.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky planifikim është bërë qysh në gusht të vitit të shkuar.
Sipas këtij plani të KQZ-së, i gjithë procesi planifikohet të përmbyllet më 18 mars.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike është planifikuar të bëhet më së largu me datën 5 mars të vitit 2025 ndërkaq certifikimi i tyre, që ndodhë pasi të përfundojnë ankesat eventuale dhe vendimet për to në PZAP dhe Gjykatën Supreme është planifikuar të bëhet deri më datën 18 mars. Natyrisht se ne po punojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet edhe më shpejt para këtyre planifikimeve që kemi bërë”, tha Elezi.
Të hënën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka vazhduar skanimi i listës së votuesve në vendvotime të rregullta, proces që i paraprin numërimit të votave me kusht.
Elezi tha se presin që një veprim i tillë të nisë së shpejti.
Derisa një ditë më parë, ka përfunduar vlerësimi i votave të ardhura me postë nga diaspora.
“Sipas të dhënave preliminare, procesit të vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës i janë nënshtruar rreth 69 mijë pako prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900”.
Numërimi i votave nga vendvotimet në përfaqësi diplomatike, sipas zëdhënësit të KQZ-së, planifikohet të fillojë në mes javë.
KQZ-ja po i skanon listat e votuesve të rregullt, pastaj fillon numërimin e votave me kusht e atyre të mërgatës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar aktivitetet e parapara në Ligjit për zgjedhjet dhe se nga e shtuna në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) ka nisur skanimin e listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ka thënë se është e domosdoshme që ky proces të përfundojë para se të fillojë numërimi i votave me kusht.
“Të shtunën në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta ... skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi që një person nuk ka votuar dy herë”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka thënë se pas përfundimit të këtij procesi do të nisë numërimi i votave me kusht, votave të mërgatës dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Elezi nuk ka dhënë një ditë specifike se kur do të nisë ky numërim, po ka thënë se kjo do të bëhet ditëve në vazhdim.
Ai ka njoftuar se të dielën ka përfunduar procesi i verifikimit të pakove të supozuara nga diaspora.
“Sipas të dhënave preliminare 69 mijë pako janë vlerësuar, 63 mijë janë aprovuar, ndërsa janë rëfuzuar 4 mijë e 900. Këto janë të dhëna vetëm preliminare dhe në procesin e numërimit do të kemi të dhëna të sakta”, ka deklaruar Elezi.