KQZ-ja është në pritje të shpalljes së zgjedhjeve në katër komunat veriore nga presidentja Vjosa Osmani, për të nisur përgatitjet për organizmin e tyre në veri.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja do të duhet të kërkojë buxhet shtesë për organizimin e këtyre zgjedhjeve të paplanifikuara.
“KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve që të fillojë përgatitjet intensive për organizmin e tyre si në çdo proces tjetër zgjedhor. KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional ku listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen nga KQZ-ja për të organizuar një proces zgjedhor dhe hapi tjetër, edhe miratimi i planifikimit buxhetor, sepse këto janë zgjedhje të paplanifikuara për këtë vit, çka do të thotë se nuk ka buxhet të paraparë dhe në rrethana të këtilla KQZ-ja miraton një planifikim dhe kërkesën e përcjell në Qeverinë e Kosovës”, tha Elezi.
Por këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, në një përgjigje me shkrim ka thënë se presidentja ende nuk ka marrë njoftim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave ashtu siç parashihet me ligj, andaj nuk ka ndërmarrë veprimet e tjera deri tani.
“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, tha Kupina.
MAPL ndërkohë ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave veriore.
“Sot gjatë ditës, në Ministrinë e Adminstrimit të Pushtetit Lokal kemi pranuar letërdorëheqjet e kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit. Ne jemi në komunikim me gjitha institucionet relevante për hapat e mëtejshëm sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Arianit Abazi, këshilltar për media në MAPL.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se dorëheqja e katër kryetarëve të komunave do t’i çojë patjetër këto komuna në zgjedhje.
“Te kryetarët e komunave e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka sqaruar në mënyrë të qartë situatën. Në momentin kur një kryetar i komunës jep dorëheqje nga funksioni, konsiderohet që ka efekt juridik e politik dhe nuk jep tjetër rrugëdalje përveç faktit që presidentja së bashku me KQZ-në ta caktojë afatin për organizmin e zgjedhjeve ku kanë dhënë dorëheqje kryetarët”, deklaroi Miftaraj.
Deri më tani dorëheqjet e tyre i kanë formalizuar katër kryetarët e komunave veriore, si dhe asamblistët e komunave veriore, duke i bërë kështu këto komuna jofunksionale.
Derisa organizimi i këtyre zgjedhjeve në veri nga ekspertë të pushtetit lokal shihet si shumë sfidues, marrë parasysh bojkotin që u është bërë institucioneve të Kosovës nga serbët në veri.
Bekim Salihu nga Instituti GAP thotë se Qeveria ka edhe një mundësi, që deri në përfundimin e zgjedhjeve të caktojë administratorë të përkohshëm të cilët do të jenë përgjegjës për buxhetin dhe çështjet administrative.
“Në secilin rast kryetarët e komunave i zëvendëson nënkryetari i komunës, nëse MAPL-ja dhe Qeveria e parashikojnë që gjendja në terren është siç po thoni, atëherë do të duhet që në versionin e vendosjes së një administratori. Në Ligjin për financat publike parashihet kjo gjë. Nëse komuna nuk ka potencial për të menaxhuar buxhetin, Qeveria e cakton një administrator për menaxhimin e ecurisë së shpenzimit të buxhetit”, tha Salihu.
Neni 11 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë thotë se mandati i kryetarit të komunës përfundon në pajtim me Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe se ky mandat zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave.
Derisa Ligji për Vetëqeverisje Lokale në mesin e shumë arsyeve që rendit se kur përfundon mandati i një kryetari është edhe akti i dorëheqjes.
Ndërsa neni 9 i Udhëzimit Administrativ për procedurën e përfundimit të mandatit të kryetarit të komunës thotë se në rast të përfundimit të parakohshëm të mandatit të kryetarit të komunës, detyrën e kryetarit të komunës deri në zgjedhjen e të riut e ushtron nënkryetari i komunës.
Dorëheqjet e pushtetit lokal në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit në fund të vitit 2018 në kohën e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, çuan në zgjedhje të jashtëzakonshme në këto komuna.