Arbëri

KQZ-ja refuzon rivlerësimin e votave me postë, të shpallura të pavlefshme

Numërimi i votave

Foto: Driton Paçarada

E përditësuar (15:53) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar rekomandimin e Sekretariatit për rivlerësim të votave me postë, e që u shpallën të pavlefshme.

Pro propozimit votuan katër anëtarë, ndërsa tre nuk votuan fare. Tre munguan duke e pamundësuar që me katër vota të miratohej propozimi.

Pas vendimit, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, u ankua duke thënë se “rasti përbën vepër penale”. 

“Nuk ka akt ma të rëndë se me qanë në dorën e një anëtari të KQZ-së me e refuzu një fletëvotim të vlefshëm. Kjo është, nëse e këqyrim thellë-thellë edhe vepër penale, përveç se akt i turpshëm”, ka thënë ai.

Pas kësaj pati përplasje me anëtarë të tjerë të KQZ-së.

Rekomandimi i Sekretariatit ishte që të hapeshin 177 vendvotime për vlerësim të votave të pavlefshme, bazuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Në këto vendvotime ishin 1631 fletëvotime që ishin shpallur të pavlefshme.

“Këto 15 fletëvotime përbëjnë gjithsej 11 vendvotime ku këto 11 vendvotime janë të përfshira gjithsej gjashtë komuna. Lidhur me këtë dhe duke u mbështet në vendimin e PZAP-së për këtë lloj të pavlefshmërisë së fletëvotimeve, sekretariati i KQZ-së i rekomadon KQZ-së të marrë vendim për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës me qëllim që të vlerësohen fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme. Pra bëhet fjalë për gjithsej 1631 fletëvotime të pavlefshme që përfshihen edhe fletëvotime të zbrazëta dhe të papërdorura”, ka thënë Besnik Buzhala, kryesues i Sekretariatit, në propozimin e tij.

E polemika pati edhe para votimit. 

Ilir Gashi, anëtar nga radhët e PDK-së, ka thënë se me këtë rihapje do të prolongohej procesi i shpalljes së rezultateve. Ai kërkoi të mos mbështetej propozimi dhe kushdo që s’ishte i kënaqur me rezultatet ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës.

E ndaj propozimit, Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ, ka thënë se “PZAP-ja nuk ka thënë askund që vendimi i saj mund të aplikohet në raste të ngjashme analoge”.

“Asnjë kuti tjetër pa vendim të PZAP-së apo Gjykatës Supreme nuk mund të hapet dhe jam kundër që të bëhet një gjë e tillë. Sepse po flasim për çështje hipotetike. Është dashtë, ka pas vëzhgues të të gjitha subjekteve politike aty dhe është dashtë me i marrë fletëvotim për fletëvotim kudo që ka mund të konsiderohet një fletëvotim i pavlefshëm me apo pa të drejtë”, ka thënë ai.

Ndërkaq Sami Kurteshi i VV-së ka ftuar prokurorinë që të merret me rastet e fletëvotimeve të printuara nga një printer. “Unë mendoj që duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme dhe të shikohen një nga një, dhe ato që bien në llogari që i ka cekur PZAP-ja, të llogariten të vlefshme. E tash a janë ato më shumë të VV-së, LDK-së, apo PDK-së nuk e di. Por unë mendoj që ky është një vendim parimor në aspektin procedural dhe në aspektin ligjor objektiv. Rekomandimi duhet të miratohet. Ne edhe ashtu si KQZ kemi dëshmuar se jemi pjesë e një procesi të lënduar nga arsye të ndryshme dhe natyrisht që autoriteti i KQZ-së është lënduar dhe nëse lejojmë që tash edhe në çështje të fletëvotimeve atëherë e rrisim dyshimin te njerëzit që votimi i tyre është i kotë”, ka thënë Kurteshi.

Arianit Elshani, anëtar nga radhët e PDK-së, ka thënë se “nuk e kupton fillin e shpejtësisë së rekomandimeve”.


KQZ-ja do të vendosë për rinumërimin e votave me postë që u shpallën të pavlefshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje të mërkurën në orën 15:00, ku një nga pikat e rendit të ditës është “Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së”.

KOHA ka marrë vesh se bëhet fjalë për rinumërimin e votave me postë që u shpallën të pavlefshme.

Pra, anëtarët e KQZ-së do të vendosin nëse duhet që këto vota të rishikohen edhe një herë.