Arbëri

KQZ-ja do të bashkëpunojë me tri institucione për verifikimin e kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare. Në këtë institucion njoftuan se kandidatët, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim efektiv nuk do të mund të certifikohen si kandidatë për zgjedhjet parlamentare, që do mbahen më 9 shkurt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me tri institucione në procesin e verifikimit të kandidatëve për certifikim në zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur të enjten se asnjë kandidat nuk do mund të konkurrojë si deputet i Kuvendit të Kosovës, në rast se është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim efektiv.

Me qëllim të zbatimit të nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Elezi ka thënë se do të kërkohet nga institucionet kompetente të bëjnë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar.

“Në këtë nen parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili është dënuar në tre (3) vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, andaj me qëllim të verifikimit kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, kandidatë për Kuvend nuk mund të jenë as personat të cilët janë funksionarë me status të veçantë sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Për këtë, Elezi ka thënë se do të koordinohen me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Jashtme.

“Neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh se kandidat nuk mund të jetë një person, i cili është funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë apo anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik. Për të bërë verifikimet e nevojshme edhe për këto kufizime ligjore, ne do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me atë  të  Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka thënë ai.

Sipas ligjit, kandidatë potencialë nuk mund të jenë as zyrtarët e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe kryesuesi apo anëtarët e KQZ-së dhe ata të komisioneve komunale të Zgjedhjeve.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Elezi ka njoftuar se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet më 7 janar.

Nga 1 shtatori deri më 11 dhjetor, 28 subjekte politike kanë aplikuar për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre 20 janë parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt. 

Raporti: Florinda Abazi