Në Shalë të Lipjanit kanë vazhduar protestat e banorëve të dielën, për ta kundërshtuar operimin e një gurthyesi me arsyetime se po e degradon ambientin dhe se po rrezikohen edhe fëmijët nëpër rrugë nga automjetet e rënda transportuese. Po ashtu sipas banorëve, gurthyesi “Shala Sh.P.K” po operon afër lumit në grykë të Shalës dhe afër një lapidari. Ndërkaq, në një përgjigje që ka pranuar KOHA nga Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale, thuhet se ky gurthyes në Shalë posedon të gjitha pëlqimet, lejet mjedisore, kontratën e pylltarisë dhe licencën e shfrytëzimit deri më 2015-n.
Banori i Shalës, Hyzer Mejzinolli, e ka quajtur shqetësuese mospjesëmarrjen e kryesisë dhe këshillit të fshatit në protestën për kundërshtimin e operimit të këtij gurëthyesi.
“Sot jemi mbledhur banorët nga të gjitha lagjet në përjashtim të kryesisë së fshatit të cilët vetë i kanë zgjedhur. As kryetarja e fshatit sot nuk po merr pjesë në këtë mbledhje. Edhe në të kaluarën kemi pasur mbledhje të tilla. Këtu kanë qenë edhe nga komisionet parlamentare. Ne kemi kërkuar përgjigje nga ata, por nuk kemi marrë. Por, ne jemi kategorishisht të bashkuar dhe kundër këtij gurthyesi i cili vetëm dëme po shkakton dhe asnjë mirëqenie për qytetarët nuk sjell”, ka thënë Mejzinolli.
Ylber Hoxha, po ashtu banor i fshatit Shalë, ka thënë se në këtë grykë kanë shpëtuar gjatë luftës dhe aty kanë rënë edhe dëshmor, mirëpo tash sipas tij, ajo po degradohet.
“Pas kaq vjetësh pas luftës është turp të vie dikush dhe ta degradojë ambientin për interesa personale. Jemi të zhgënjyer me institucionet që nuk po reagojnë, kurse këtu po vazhdon puna. Këtu është minuar kodra dhe e kam shtëpinë rreth 500 metra nga gurthyesi dhe e kam izoluar edhe një herë shtëpinë për shkak të plasaritjeve të mureve dhe kush nuk merret me këtë çështje”, ka thënë midis të tjerash Hoxha.
“Ndërmarrja "Shala” sh.p.k e ka bërë transferimin e Licencës së Shfrytëzimit në ndërmarrjen “Arbëria Turist” sh.p.k dhe operon në lokacionin Shalë-Lipjan, posedon të gjitha pëlqimet, lejen mjedisore, kontratën e pylltarisë dhe licencën e shfrytëzimit Nr.2176/KPMM/2021 me afat 16.01.2025. Minimi masiv ka ndodhë pasi Ndërmarrja e posedon të gjithë dokumentacionin”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.
KOHA ka kontaktuar edhe me pronarin e gurthyesit “Shala Sh.P.K” Feim Hoxha, i cili ka thënë se zyrtarisht i ka marrë të gjitha dokumentet e nevojshme për operim. Ai ka sqaruar se aktualisht ka të punësuar mbi 10 banor të Shalës, ndërkohë do të punësohen edhe 50 të tjerë pasi që pritet të ndërtohet edhe një fabrikë për prodhimin e gëlqeres.
“Ne jemi duke operuar në pjesën malore të fshatit dhe nuk e pengojmë askënd sepse të gjitha lejet dhe pëlqimet e institucioneve janë lëshuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe me gjendjen faktike në terren. Ne i kuptojmë banorët, por askujt nuk i bëjmë dëme përveçse ata përfitojnë vende të punës, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e tyre. Dua të sqarojmë se në zonën e Shalës, ka edhe gurthyes të kompanive të tjera, prandaj kërkojmë nga banorët mos të ndikohen nga të tjerët sepse ne nuk i rrezikojmë në rrugë, as nuk e ndotim ambientin e banorëve”, Ka thënë Hoxha, duke sqaruar se minimi i cili ka ndodhur javë më parë me kapacitete minimale nuk është dëgjuar fare në fshat me arsyetim se distanca është me kilometra të tërë.