Arbëri

KPM-ja dënon kabllorët me 100 mijë euro

Katër operatorë kabllorë janë gjobitur nga Komisioni i Pavarur i Mediave për mashtrim të qytetarëve me reklamim të rrejshëm, meqë ndërkohë kanë larguar kanalet televizive nga platforma. “ArtMotion” u gjobit me 64 mijë euro, “Kujtesa” me 26 mijë euro, “IPKO” me 7 mijë euro dhe “Telkosi” me 3 mijë euro.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorë kabllorë, të cilët, sipas këtij institucioni, kanë mashtruar qytetarët me reklamim të rrejshëm dhe ndërkohë kanë larguar kanalet televizive nga rrjeti.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, i cili prezantoi propozim-vendimin përpara se të miratohej unanimisht nga anëtarët, tha se që nga 1 janari i këtij viti janë pranuar gjithsej 340 ankesa nga qytetarët.

“Para komisionit më lejoni të ofroj rekomandimin që të sanksionohet operatori ‘ArtMotion’ me 64 mijë euro, operatori ‘Kujtesa’ me 26 mijë euro, operatori ‘Ipko’ me 7 mijë euro dhe operatori ‘Telkos’ me 3 mijë euro. Kjo, duke pasur parasysh edhe përqindjen e ankesave, të cilat kanë ardhur kundrejt këtyre operatorëve”, u shpreh Mehmeti.

Bazuar në një rregullore të KPM-së, qytetarëve u ndalohet ta shkëpusin kontratën afatgjate me kabllorët, edhe në rastet sikur tani kur nga pakoja janë hequr një numër programesh televizive të sportit.

Anëtarë të KPM-së theksuan se raste të tilla të mashtrimeve ndaj qytetarëve kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por që institucionet e drejtësisë i kanë zvarritur lëndët.

“Nëse ne mendojmë se ka ndonjë vepër të mashtrimi ekonomik, i cili në fund të ditës i shërben dikujt tjetër për pasurim, dhe ka një dobi pasurore të dikujt tjetër, atëherë legjislacioni jonë na detyron që këto t’i adresojmë te institucionet përkatëse. Ne si KPM mendoj se duhet përveçse të bashkëpunojmë, edhe ta adresojmë në Polici”, deklaroi Luljeta Aliu.

“Mendoj se KPM nuk e ka komoditetin që të lejon që i njëjti gabim të ndodh dy herë e as me ndodh gabime të reja. Nëse në vitin 2021 ka ndodhur ky problem, mendoj se ne tash nuk duhet ta tolerojmë kurrsesi”, shtoi Besnik Berisha.

E, kryetari i KPM-së bëri të ditur se së shpejti do të bëhet edhe plotësim-ndryshimi i rregullores, në bazë të së cilës kabllorët bënë kontrata me konsumatorët duke ua ndaluar të largoheshin edhe kur hiqeshin kanalet. Sipas tij, me ndryshimet e bëra do të ndalohen padrejtësitë e këtilla ndaj konsumatorëve.