Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit deri në këtë fazë ka qenë objektiv, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, në kundërpërgjigje të koalicioneve joqeveritare, që të enjten rekomanduan që ky proces të anulohet.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL rekomanduan që procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të anulohet dhe të hapen një konkurs i ri.
“Publikimi i konceptdokumenteve, intervistimi i kandidatëve në prani të përfaqësuesve të OJQ-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, xhirimi dhe transmetimi i të gjitha intervistave të kandidatëve përmes mediumit publik, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i cili mundësoi që secili qytetar të përcjellë këtë ngjarje të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, padyshim, është dëshmia më e mirë që ky proces, siç e thekson edhe vetë raporti i kësaj pjese të shoqërisë civile, është një praktikë tepër pozitive dhe e pashembullt deri me tani në ndonjë institucion relevant, me ç’rast iu ka dhënë mundësia publikut, OJQ-ve dhe mediave që ta përcjellin drejtpërdrejt dhe në kohë reale ketë ngjarje për zgjedhjen e kandidatit për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial”, thuhet në reagimin e KPK-së të premten.
KPK-ja thotë se gjuha e përdorur nga shoqëritë civile është tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore.
“Prandaj, tendencat dhe gjuha e përdorur nga një pjesë e shoqërisë civile, nuk është asgjë tjetër, përveçse tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, me prapavijë dhe në shërbim të atyre që kanë intencë të ndërhyjnë në pavarësinë e këtij institucioni të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Paradoks në vetvete dhe tejet i pakuptueshëm është fakti kur i njëjti raport i këtij koalicioni të një pjese të OJQ-ve i paraqet si fajtorë për një proces të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm, një Udhëzues, i cili ka të bëjë me aplikimin e Nenit 13 dhe 14-të të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës dhe formularët mbi konceptdokumentet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit”, përfundon reagimi i KPK-së.