Këshilli Prokurorial i Kosovës ka akuzuar Komisionin për Legjislacion për tendencë për ndërhyrje e cenim të sistemit prokurorial, pas rekomandimit për inicimin e shkarkimit të anëtarit të KPK-së, Agron Beka.
Një ditë më parë, ky Komisioni miratoi rekomandimin për shkarkimin e Bekës, si anëtar të KPK-së, që vjen nga radhët e fakulteteve juridike.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Prokurorial ka thënë se është i shqetësuar thellë për këtë informacion.
Sipas KPK-së, Komisioni ka marrë veprime të ngutshme dhe ka vendosur pa i shqyrtuar të gjitha provat. Për këto prova, KPK-ja ka thënë se “demantojnë plotësisht të gjitha pretendimet e potencuara nga iniciatorët në Komisionin për Legjislacion, për shkarkimin e anëtarit joprokuror të KPK-së”.
“Në mesin e shumë provave voluminoze që ofroi z.Beka ishin edhe disa dëshmi të komunikimit zyrtar me zyrtarët e lartë dhe kompetentë në institucione të rëndësishme shtetërore, të cilët, paraprakisht, ka më shumë se një vit që janë njoftuar mbi keqpërdorimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, e të cilët deri sot e kësaj dite nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i parandaluar pasojat negative evidente, përkundrazi, mosveprimi i tyre ka shkaktuar krijimin e situatave për inicimin e procedurave në organet e sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
KPK-ja ka përsëritur se është i vetmi institucion që mund të t’i shqyrtojë shkeljet eventuale.
“Andaj, në përfundim të takimit të sotëm të jashtëzakonshëm, u theksua se veprimet e tilla të Komisionit për Legjislacion paraqesin tendencë të hapur politike për të ndërhyrë në funksionimin e rregullt dhe cenimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i KPK-së.