Arbëri

Kostoja e ndërtimit të Emergjencës rritet për 17 milionë euro

Kur në vitin 2016 u vu guri themeltar i objektit të ri të Emergjencës, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ai do të përfundojë në vitin 2019 e kostoja do të jetë 8 milionë euro. Tetë vjet më vonë objekti nuk ka përfunduar e kostoja e përgjithshme pritet të jetë rreth 25 milionë euro. Po ashtu fituesi i tenderit të ri ka histori të përbashkët me kompaninë që la në gjysmë punimet

Rreth 15 vjet me parë projekti për ndërtimin e Klinikës Emergjente pati kosto 8 milionë euro. Atë vit u bë plani, por puna nisi në korrikun e vitit 2016 me paralajmërimin se projekti do të përfundojë më 2019.

Kompania fituese “Al Trade” e la në gjysmë projektin. Mori rreth 4 milionë e gjysmë euro dhe u tërhoq për shkak të ankesave në projekt.

Pesë vjet pasi objekti do të duhej të ishte ndërtuar tashmë, Ministria e Shëndetësisë (MSH) e ka përzgjedhur kompaninë që do t’i vazhdojë punimet në të.

Kostoja e projektit, ku tashmë janë investuar gati 5 milionë euro, është rritur ndjeshëm. Për ta ndërtuar ndërtesën e re të Emergjencës, MSH-ja do t’i shpenzojë edhe rreth 20 milionë euro, gjithsej 25 milionë.

Punët do t’i vazhdojë kompania që dikur ka qenë pronë e pronarit të njëjtë me kompaninë që para 5 vjetësh e ka lënë objektin e Emergjencës në gjysmë.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe nga vetë kompania “BM Group SHPK”, që është përzgjedhur fituese e tenderit.

“Kompania ‘BM Group SH.P.K.’ deri në vitin 2017 ishte në pronësi të ‘Bau Holdingut’ me emrin e biznesit ‘BAU ENERGY ShPK’, kurse nga data 1.1.2018, kjo kompani është shitur te Bedri Gllareva, pronar aktual i kompanisë me 100% të aksioneve, me ç’rast emri i kompanisë është ‘BM GROUP ShPK’”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Pronari i “Bau Holdingut” ishte pronar i “Al Trades” në kohën kur e pati tenderin për objektin e Emergjencës.

Megjithatë, kjo kompani insiston se i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore.

“Duke qenë se shpallja ka qenë publike, ne si kompani serioze kemi aplikuar në këtë aktivitet të prokurimit/tender të vetëm pa konsorcium, ku nga ana e autoritetit kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, jemi shpallur fitues. Vlera e ofertës nga ana e ‘MB GROUP ShPK’ është 19.943.163.85 euro”, theksohet në përgjigje.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ku ishte përfshirë edhe stafi politik i këtij institucioni, kanë deklaruar se Zyra e Prokurimit ka pavarësi të veprimit dhe nuk mund t’i ndërhyjë në punë.

“Komisioni për vlerësimin e ofertave dhe zyrtari përgjegjës i prokurimit kanë vlerësuar të gjitha ofertat dhe në këtë çështje ata kanë të gjithë autonominë profesionale në përfundimin e procedurës administrative në përputhje me nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik, pa asnjë ndërhyrje”, thuhet në përgjigje. “Ministria e Shëndetësisë po i përcjell me vëmendje pretendimet ankimore të katër (4) operatorëve ankues dhe në rast se konfirmohen shkelje ligjore, është e gatshme të fillojë ndërmarrjen e masave disiplinore dhe jo vetëm ndaj zyrtarëve përgjegjës. Sidoqoftë, ne jemi të obliguar ligjërisht që të gjitha ofertat t’i trajtojmë si të barabarta dhe përderisa një operator nuk ka përmbushur asnjë kusht të përcaktuar me nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik për t’u konsideruar si i papërshtatshëm, ne nuk kemi të drejtë të eliminojmë asnjë ofertë të cilitdo operator ekonomik”.

Në përgjigje thuhet se historiku i përbashkët i dy kompanive nuk është arsye ligjore për përjashtim nga gara.

“Sa u përket çështjes së aksioneve dhe aksionarëve të kompanisë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka bazë për të përjashtuar kompani për shkak të pronarëve të saj, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht me Ligjin e Prokurimit Publik kur të njëjtit janë përfshirë në kryerjen e veprave penale e që në këtë aktivitet të prokurimit nuk është përmbushur një kriter i tillë. Duke marrë parasysh se aktiviteti i prokurimit tani për tani është i pezulluar dhe është në vlerësim të ankesave nga ana e OSHP-së, Ministria e Shëndetësisë për të respektuar parimin e mosndërhyrjes në punën e organit të pavarur nuk mund të komentojë më tepër sa i përket këtij aktiviteti të prokurimit”, theksohet në përgjigje.

Një raport i vitit 2018 pati evidentuar se plani i MSH-së, në bazë të të cilit ishte nënshkruar tenderi më 2016, nuk ishte adekuat.