Një sondazh në Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon optimizëm mbi marrëdhëniet me Serbinë, më pak shqetësime për korrupsionin dhe mbështetje të fortë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Të pyetur se kur prisnin që Kosova të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë, 55 për qind e të anketuarve thanë se brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Pavarësisht nga ky këndvështrim optimist, 79 për qind e kosovarëve nuk besojnë se duhet bërë ndonjë lëshim për të marrë njohjen nga Serbia.
“Këto shifra pasqyrojnë qartë një perspektivë optimiste me Serbinë. Edhe pse koncesionet duket se janë pikë pengese tani, është një zhvillim pozitiv që shumica e kosovarëve besojnë se marrëdhëniet me Serbinë do të normalizohen në pesë vjetët e ardhshëm”, ka thënë Paul McCarthy, drejtor për Evropën në IRI.
Sondazhi tregon gjithashtu se më pak kosovarë janë të shqetësuar për korrupsionin sesa në vitet e kaluara. Përqindja e njerëzve që u përgjigjën se korrupsioni ishte problemi më i madh ose i dytë më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohej Kosova, ra nga 29 për qind në shtator 2021 në 8 për qind në këtë sondazh.
Përveç kësaj, anëtarësimi në BE dhe zhvillimi demokratik në Kosovë kanë mbështetje të fortë. 95 për qind e kosovarëve thanë se do të votonin për anëtarësim në BE nëse do të mbahej një referendum. Më tej, 66 për qind e njerëzve janë shumë ose disi të kënaqur me mënyrën se si është zhvilluar demokracia në vend.
“Mbështetja e fortë për BE-në dhe qeverisja demokratike janë shenja që kosovarët e kuptojnë se integrimi i mëtejshëm me Perëndimin është një recetë për sukses. Institucionet politike të përgjegjshme dhe transparente do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje paqeje dhe prosperiteti për Kosovën”, ka thënë McCarthy.
Të dhënat e sondazhit u mblodhën midis 20 shkurtit 2023 dhe 13 marsit 2023.
“Mostra përbëhet nga n=1,200 banorë të Kosovës të moshës 18 vjeç e lart. Mostra është peshuar sipas gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike bazuar në Regjistrimin e vitit 2011 dhe profilet komunale të OSBE-së. Shkalla e përgjigjeve ishte 74%. Marzhi i gabimit për intervalin e mesëm të kampionit të plotë nuk i kalon ± 3.0 pikë në nivelin 95% të besimit”, thuhet në njoftimin e IRI-së.