Arbëri

Kosovarët duan anëtarësimin në BE e NATO, të shqetësuar për tensionet me Serbinë

Objekti i Qeverise

Mbi 92 për qind e qytetarëve të Kosovës do të votonin për anëtarësimin në Bashkim Evropian po të mbahej një referendum sot dhe 94 për qind e qytetarëve do të votonin për t’iu bashkuar NATO-s, është thënë në një sondazh të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan. 

Sondazhi ka treguar një dëshirë të madhe për t’iu bashkuar BE-së dhe NATO-s dhe një mbështetje të fortë për një qeverisje demokratike. Por, po ashtu ka rritje të shqetësimeve lidhur me tensionet në rritje me Serbinë. 

“Populli i Kosovës beson se përparimi ekonomik dhe siguria kombëtare vijnë me lidhje të ngushta me Perëndimin”, ka thënë Paul McCarthy, drejtori i Evropës i IRI-t. “Anëtarësimi në BE dhe NATO do të ndihmojë në arritjen e këtyre qëllimeve”. 

95 për qind e të rriturve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes për Kosovën. Sondazhi po ashtu ka treguar se 92 për qind besojnë se është shumë apo në një masë e rëndësishme që gratë të përfshihen në vendimmarrje politike. 

“Të dhënat tregojnë se njerëzit janë të etur që të marrin pjesë në zgjedhjet kombëtare dhe lokale në vitin 2025. Po ashtu është e rëndësishme për ta që të shohin gratë dhe të rinjtë të përfaqësohen në proceset politike”, tha McCarthy. 

Qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar edhe për tensionet me Serbinë, është thënë në sondazh. 
Krahasuar me një sondazh të zhvilluar në mars të vitit 2023, përqindja e të anketuarve që janë shumë ose disi të shqetësuar se tensionet me Serbinë do të zhvillohen në një konflikt më të madh, është rritur për 17 pikë përqindjeje. 

Sondazhi është kryer nga 6 maji deri më 27 maj të vitit 2024.